Autoritetet qeveritare kanë shtruar nevojën që, pa vonesë, të realizohen gërmime të reja në tri lokacione në Serbi, ku dyshohet të jenë fshehur trupa të të zhdukurve me dhunë gjatë luftës. E, Bashkimi Evropian nuk u ka dhënë përgjigje akuzave se ai bashkë me Serbinë janë përgjegjës për ngecjen në adresimin e çështjes së të pagjeturve
Deklarata për Personat të Zhdukur, e dakorduar nga kryeministri i Kosovës dhe presidenti i Serbisë, nuk është përcjellë më veprime për zbardhjen e fatit të të pagjeturve. Një vit pas miratimit të këtij dokumenti, autoritetet në Kosovë thonë se, për dallim nga pala serbe, kanë ndërmarrë veprime për përmbushjen e obligimeve të marra në Bruksel. Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Andin Hoti, ka ngritur shqetësimin për moszbatimin e deklaratës. “Fatkeqësisht nuk kemi pasur përgjigje konkrete. Siç e keni dëgjuar deklaratën e fundit të z. Bislimi, nga takimi i fundit në Bruksel, unë e kam pasur një diskutim me z. Lajçak, pikërisht për mostrajtim të deklaratës me seriozitet dhe urgjencë nga BE-ja dhe fatkeqësisht nuk kam pranuar ndonjë përgjigje konkrete as në takimin e fundit, edhe pse ne veçse kemi filluar me zbatimin e deklaratës qysh në ditët e para menjëherë pas dakordimit në Bruksel”, ka thënë Hoti në një përgjigje me shkrim për KOHA-n.
Në lidhje me ankesat e palës kosovare, prej dy ditësh nuk janë kthyer përgjigje në pyetjet që KOHA i ka adresuar në Bashkimin Evropian.
Afrim Grajçevci, kryesues i Këshillit koordinues të familjarëve të personave të zhdukur, thotë se janë të vetëdijshëm për pafuqinë e institucioneve të Kosovës për t`i bërë presion Serbisë.
“Për me shty këtë proces përpara i takon bashkësisë ndërkombëtare dhe atyre që i kanë nënshkruar në prezencën e dy delegacioneve këto marrëveshje”, ka thënë ai.
Por përveç Bashkimit Evropian, Grajçevci ka kritikuar edhe autoritetet e Kosovës. “Bllokim kemi pas gjithherë nga Serbia por pse del që të bllokon edhe Bashkimi Evropian, bashkësia ndërkombëtare, kjo është e çuditshme pak. Sepse bashkësia ndërkombëtare dhe BE-ja duhet të bëjë presion mbi Serbinë sa më shumë për t’i gjetur dhe gjurmuar vendet të cilat dihet se ku janë me fakte në Serbi. Pengesa është edhe te institucionet tona se këtë proces njëkohësisht e neglizhojnë, me dashje apo pa dashje nuk e di. Rezultate të reja rreth këtij procesi nuk kemi thuajse prej vitit 2022”, ka thënë Ahmet Grajçevci, kryetar i Këshillit Koordinues të Familjarëve të Personave të Pagjetur.
E Andin Hoti theksoi se mungesa e gatishmërisë së Beogradit zyrtar për ta zbatuar deklaratën, ka ndikuar edhe në punën në teren. Ai shtroi nevojën që të rigërmohet në disa lokacione në Serbi.
“Batajnica, Petrovo Sello dhe Peruqac, janë tri nga lokacionet që po insistojmë në vazhdimësi për rikthim. Pavarësisht që nuk mund të jem i sigurt, për shkak të mungesës së vullnetit të palës serbe, sipas diskutimeve që kemi pasur, ne pretendojmë që brenda këtij viti të qasemi në dy lokacione në Serbi”.
Edhe drejtoresha e Fondit për të Drejtën Humanitare në Serbi, Natasha Kandiq, i tha KOHËS të dielën se është me urgjencë presioni veçmas mbi Serbinë, me qëllim të zbardhjes së fatit të të pagjeturve. Edhe ajo tha se rigërmime duhet bërë në Batajnicë, Petrovo Sello, Peruqac, por edhe në Budisavc.
E sipas Hotit, problematike në zhvillimin e gërmimeve mbetet mungesa e informatave nga Serbia.
“Ne vazhdojmë gërmimet në bazë të informatave të ndryshme që pranojmë, apo raporteve të ndryshme të organizatave vendore dhe ndërkombëtare. Por fatkeqësisht informatat bazë, gjenden tek ata që i kanë bërë këto krime, pra te Serbia, kryesisht të klasifikuara si sekrete, të cilët nuk po pranojnë të dorëzojnë të njëjtat te ne, pavarësisht që ne tashmë kemi një deklaratë të përbashkët të Brukselit, e cila i obligon të njëjtit për dorëzimin e çfarëdo informate që posedojnë për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur”, ka thënë ai.
Ndërsa Grajçevci thotë se për të arritur deri te zbulimi dhe identifikimi i varrezave e fakteve të reja, mbi Serbinë duhet ushtruar “presion i madh”. Ai shpreson që sa më shpejt të nisin rigërmime në disa lokacione.
“Kemi mostra ende të trupave që janë kthyer nga Serbia sepse janë kthy pa disa gjymtyrë të trupit“, ka thënë ai
Ndërkaq, kryetari i komisionit qeveritar, Andin Hoti, ka thënë se janë në pritje të një pajisje të sofistikuar që quhet “LIDAR” e cila do të bëjë skanimin e lokacioneve të dyshimta për gërmime.
“Pajisja do të vijë në Kosovë në tetor të këtij viti nga Zvicra, dhe bashkë me një ekip profesional zviceran do të bëhen testet e para për rezultatet e saj, kjo është mbështetur nga Ambasada e Zvicrës dhe shteti zviceran, të cilëve u falënderohem për mbështetjen e vazhdueshme”, ka thënë Hoti.
Për bashkëpunim në lidhje me personat e zhdukur, Kosova dhe Serbia, janë dakorduar në shkurt të vitit të shkuar. Si derivat i marrëveshjes së arritur në Bruksel, një muaj më vonë në Ohër, që të dyja shtetet u patën pajtuar për aneksin e marrëveshjes, në të cilën është paraparë miratimi i Deklaratës për Personat e Zhdukur, e kjo çështje u pat konsideruar urgjente.