Arbëri

BE-ja dhe Qeveria nuk tregojnë nëse do të ketë takim trepalësh të martën në Bruksel

Qeveria e Kosovës nuk ka ndarë hollësi në lidhje me takimin që do të mbahet të martën në Bruksel. Në Bashkimin Evropian shpalosën temën e diskutimeve në nivel të kryenegociatorëve, por zyrtarë të saj nuk konfirmuan nëse do të ketë takim trelateral. Pritje nga takimi nuk ka kryenegociatori i palës serbe, Petar Petkoviq, teksa kryekuvendari i Kosovës ka thënë se “dialogu ka vdekur”

Kosova dhe Serbia do të vazhdojnë të martën diskutimet në nivel të kryenegociatorëve në Bruksel. 

Zhvillimin e bisedimeve më 17 shtator e ka konfirmuar të hënën zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, derisa në një konferencë për medie ka zbuluar edhe agjendën e takimit. 

“Mund të konfirmoj se takimi i radhës në nivel të kryenegociatorëve do të mbahet nesër në Bruksel. Agjenda është e qartë: rruga përpara në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe sigurisht diskutimet në çështjet që janë duke ndikuar në normalizimin mes Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Stano.

Por, ai nuk ka treguar nëse do të ketë takim mes dy negociatorëve, Besnik Bislimi i Kosovës e Petar Petkoviq i Serbisë, apo ata do të takohen vetëm me emisarin Lajçak. E një gjë të tillë, nuk e dinë as në Qeverinë e Kosovës. E në një përgjigje me shkrim, nga Bashkimi Evropian thanë se takimi i së martës është mundësi që palët ta shprehin angazhimin e tyre në procesin e dialogut.

“Rruga përpara për të dyja palët është ta riafirmojnë angazhimin e tyre konstruktiv në procesin e normalizimit. Mundësia e parë për këtë riangazhim është takimi i ardhshëm i kryenegociatorëve në Bruksel më 17 shtator”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit të BE-së, Peter Stano.

Por, pritshmëri të tilla nuk kanë as në Kosovë e as në Serbi. Petar Petkoviq, shef i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, ka thënë se nga takimi i 17 shtatorit nuk pret asgjë. 

“Ne do të luftojmë, do t’i shprehim qëndrimet tona, do të theksojmë atë që është e nevojshme dhe do të dalim me zgjidhje kompromisi. Por, duhet edhe pala tjetër, që edhe ajo të jetë e gatshme për bisedime”, tha ai në një bisedë për TV “Informer” të hënën.

E derisa nga Qeveria e Kosovës nuk kanë ndarë hollësi në lidhje me takimin në Bruksel, kryekuvendari Glauk Konjufca është i bindur se dialogu ka vdekur. 

“Unë kam thënë me këtë strukturë, kam vlerësuar se dialogu tashmë ka vdekur. Ta shohim çka po ndodh më 2025, për vitin 2024 s’kemi çka flasim”, ka thënë ai.

Të premten e javës së shkuar, zv.kryeministri Besnik Bislimi ka deklaruar se Serbia ka refuzuar takimin trelateral. Sipas tij, Serbia është përpjekur që në këtë takim “të imponojë pika të agjendës, të destinuara kryesisht për konsum të brendshëm politik”.

“Për takimin e radhës të procesit të dialogut në Bruksel më 17 shtator, Kosova ka pranuar takimin trelateral sipas agjendës së caktuar nga ndërmjetësuesi. Fatkeqësisht, Serbia e ka refuzuar një takim të tillë, duke u përpjekur të imponojë pika të agjendës, të destinuara kryesisht për konsum të brendshëm politik”, ka shkruar Bislimi, derisa e ka demantuar lajmin se ai ka refuzuar takimin me Petkoviqin, të publikuar në një medium serb. 

Pretendimet e Bislimit në lidhje me refuzimin e Serbisë nuk i ka konfirmuar e as nuk i ka hedhur poshtë Bashkimi Evropian.

Kryenegociatorët Besnik Bislimi e Petar Petkoviqi, për herë të fundit janë takuar në fillim të korrikut. Takimi mes tyre u pat zhvilluar pas atij që emisari i BE-së, Miroslav Lajçak, zhvilloi ndaras me ta.
Pas takimit trepalësh, Lajçak pati deklaruar se me Bislimin e Petkoviqin janë dakorduar për një sërë hapash në vazhdim, pa ndarë hollësi të tjera.

E zv.kryeministri Besnik Bislimi ka deklaruar se pala serbe ishte e interesuar vetëm për një pikë të marrëveshjes bazike, atë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Këmbënguljen për themelimin e Asociacionit e pati konfirmuar edhe kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq.