Komuna e Prishtinës nuk do të mund t’i tërheqë 1.2 milionë euro në rast se fituesi i tenderit 12-milionëshe për “shërbimin arkitekti i qytetit” nuk i zbaton kushtet e kontratës. Dokumenti që njihet si “Siguri e ekzekutimit”, të cilin e ka lëshuar banka, është thuajse i ngjashëm në përmbajtje me “sigurimin e tenderit”, dokument që vlen vetëm në fazën para nënshkrimit të kontratës.
Dokumenti kyç për ta siguruar Komunën e Prishtinës se konsorciumi që ka fituar tenderin “Shërbimi i arkitektit të kryeqytetit” do t’i kryejë punët për të cilat do të paguhet rreth 12 milionë euro, është në kundërshtim me ligjin dhe rregullat e prokurimit.
Ditën kur është nënshkruar kontrata, konsorciumi i përbërë prej kompanive “Anarch” dhe “Ardi Ç” ka deponuar në komunë një dokument të lëshuar nga Banka Ekonomike e që e kanë cilësuar si “Siguri e ekzekutimit” të kontratës.
Në të thuhet që janë ngrirë 1 milionë e 200 mijë euro të konsorciumit, që përbëjnë 10-përqindëshin e vlerës së kontratës.
Sipas ligjit, në rastet kur kërkohet “Siguri e ekzekutimit”, si në rastin e tenderit të Komunës së Prishtinës, dokumenti do të duhej të shërbente si garanci që komuna t’i merrte paratë në rast se konsorciumi nuk i zbaton kushtet e kontratës.
“Autoriteti kontraktues mund të kërkojë nga operatori ekonomik të cilit i është dhënë një kontratë që të depozitojë një siguri të ekzekutimit si parakusht për nënshkrimin dhe hyrjen në fuqi të kontratës së tillë nëse: (i) kontrata e tillë është kontratë e punëve; (ii) kontrata e tillë është kontratë e shërbimeve për krijimin e programeve kompjuterike, ose; (iii) ekziston rreziku se thyerja e kontratës së tillë do t’i shkaktojë dëme substanciale autoritetit kontraktues dhe/ose mund të kërkojë që autoriteti kontraktues të bëjë shpenzime të mëdha për mbylljen e kontratës në fjalë”.
Por, përmbajtja e “Sigurisë së ekzekutimit” që e ka lëshuar banka është thuajse e ngjashme me sigurimin e tenderit, dokument që vlen në fazën para nënshkrimit të kontratës.
Për pasojë, Komunës nuk i njihet e drejta t’i tërheqë 1.2 milionët, edhe nëse konstatohet se konsorciumi nuk i ka kryer punët sipas kontratës.
Edhe në bazë të një interpretimi që Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik e ka dhënë për KOHËN, konfirmohet se ajo çka shkruan në dokument është në kundërshtim me atë çfarë në të vërtetë është siguria e ekzekutimit.
“Siguria e ekzekutimit mund të kërkohet nga operatori ekonomik që i është dhënë kontrata që të depozitojë një siguri të ekzekutimit si parakusht për nënshkrimin dhe hyrjen në fuqi të kontratës së tillë, kur ekziston rreziku se thyerja e kontratës së tillë do t’i shkaktojë dëme substanciale autoritetit kontraktues dhe/ose mund të kërkojë që autoriteti kontraktues të bëjë shpenzime të mëdha për mbylljen e kontratës në fjalë”, thuhet në interpretimin e KRPP-së.
KOHA për të gjitha këto çështje e ka pyetur edhe Komunën e Prishtinës, konsorciumin e Bankën Ekonomike. Askush nga ta nuk është përgjigjur.
Këtë muaj KOHA ka raportuar se pronar i njërës kompani në konsorcium që ka fituar kontratën 12-milionëshe është Astrit Nixha, i cili në të kaluarën ka pasur raporte pune me një biznes të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama.