Arbëri

Baza e ndërtuar me ndihmën e rusëve i jepet në shfrytëzim NATO-s

“Ndërtimi i kësaj baze në vendin tonë, është dhe mesazh i qartë që u dërgohet aktorëve të tjerë me qëllime jo të mira në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Rritja e pranisë perëndimore në gjithë rajonin tonë nuk do të lejojë depërtimin dhe influencën e këtyre rivalëve, që kanë agjenda dhe interesa të tjera, të ndryshme nga ato që ne besojmë dhe ndajmë”, ka thënë ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Niko Peleshi, në ceremoninë e nisjes së projektit të modernizimit të Bazës Ajrore të Kuçovës dhe transformimit të saj në Bazë Ajrore Taktike të NATO-s

Baza Ajrore e Kuçovës, e ngritur në vitin 1951 me ndihmën e rusëve dhe ishte krenaria e regjimit komunist në një përballje të mundshme me atë që atëherë quhej imperializmin amerikan, prej 20 janarit do të jetë nën kontrollin e NATO-s pikërisht për t’u shërbyer atyre për të cilët u ngrit t’i luftonte.

Me rastin e nisjes së realizimit të projektit për modernizimin e Bazës Ajrore të Kuçovës dhe transformimit të saj në Bazë Ajrore Taktike të NATO-s, të enjten u organizua ceremoni në të cilën morën pjesë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, gjeneralmajor Bajram Begaj, ambasadorja e SHBA-së në Shqipëri, Yuri Kim, dhe ambasadorë të vendeve të tjera të akredituar në Tiranë.

“Vendimi që mori NATO-ja për të përzgjedhur këtë hapësirë si një mjedis të ri për adresimin e sfidave të sigurisë për ta transformuar në një bazë taktike konfirmon faktin se Shqipëria e vogël është sidoqoftë vlerë e shtuar në këtë aleancë, e cila bashkon së bashku edhe që besojnë në disa vlera dhe parime që ia vlen të luftohet”, ka thënë Rama në fjalën e tij. “Natyrisht që për ne lajmi i kësaj vendimmarrjeje të NATO-s ishte një lajm shumë i mirëseardhur, sepse si të thuash, jo vetëm krijonte këtë vlerë të re në gjithë infrastrukturën tonë të mbrojtjes, por përçonte edhe një energji të re në përpjekjen tonë për ta shfrytëzuar sa më shumë inteligjencë dhe pragmatizëm në pozicionin tonë strategjik në aspektin gjeografik dhe pozitën tonë në NATO, në aspektin politik dhe ushtarak duke qenë të vetëdijshëm për përmasën e vendit tonë dhe për volumin e kontributit tonë në raport me vendet e tjera”.

Rama tha se po shohin të realizuar një projekt, i cili sipas tij ishte i pabesueshëm për këdo.

“Më kujtohet se sa shumë është përqeshur dhe sa komente mosbesuese janë bërë atëherë kur lajmi u bë publik dhe sa shumë është ndjekur në vijimësi ky proces nga komente dhe opinione sipas të cilave ky moment nuk do të ndodhte asnjëherë, që Kuçova të kthehej në bazë ajrore ku do të zbatohen 5 projekte të ndara në 3 paketa të rëndësishme. Përveç përfitimeve strategjike në aspektin ushtarak, do të impaktohet në mënyrë afatgjate ekonomia. Zona e Kuçovës do të ketë një përfitim si të ardhur nga qielli”, ka deklaruar Rama.

Ndërsa, ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Niko Peleshi, deklaroi se kjo nuk do të ishte e mundur pa mbështetjen pa rezerva të aleatëve dhe lidershipit civil-ushtarak të NATO-s.

“Ndërtimi i kësaj baze në vendin tonë, është edhe mesazh i qartë që u dërgohet aktorëve të tjerë me qëllime jo të mira në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Rritja e pranisë perëndimore në të gjithë rajonin tonë nuk do të lejojë depërtimin dhe influencën e këtyre rivalëve, që kanë agjenda dhe interesa të tjera, të ndryshme nga ato që ne besojmë dhe ndajmë. Projekte dhe iniciativa të tjera si kjo e Kuçovës janë më se të mirëpritura në të ardhmen, dhe ne jemi besimplotë se zhvillime të tjera do të na ndjekin”, theksoi Peleshi.

Ministri i Mbrojtjes tha më tej se me përfundimin e rikonstruksionit dhe vënien në gatishmëri operacionale, Baza Ajrore Taktike e Kuçovës do të luajë një rol vendimtar në mbështetjen e NATO-s dhe vendeve aleate për t’u dislokuar me shpejtësi dhe efikasitet. Por, sipas ministrit Peleshi baza do të ketë ndikim pozitiv edhe në fushën sociale dhe ekonomike për komunitetin që jeton pranë kësaj baze.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, gjeneralmajor Bajram Begaj, bëri të ditur se Baza Ajrore Taktike e Kuçovës do të jetë në shërbim të stërvitjeve dhe operacioneve të ndryshme të Aleancës, duke qenë e gatshme 24 orë në 7 ditë të javës “si në kohë paqe, ashtu edhe në kohë krize”.

Parlamenti i Shqipërisë miratoi në tetor të vitit 2020 marrëveshjen teknike ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Agjencisë së Mbështetjes dhe Prokurimit të NATO-s, për realizimin e projekteve të Kuçovës, të financuara nga programi i investimeve të NATO-s për sigurinë, vitet 2019-2022. Sipas parashikimeve, SHBA-ja do të investojë fillimisht 41 milionë e 317 mijë euro. Sipas draftit, 100 mijë euro do të përdoren për restaurimin e kullës së kontrollit. 8.545.000 euro do të shkojnë për sigurimin e mjediseve për depozitimin dhe furnizimin me karburant për avionët, 2.000.000 euro do të përdoren për sigurimin e mjediseve për municionin, 672.000 euro për sigurimin e qendrës kundër avarive dhe zjarrit dhe 30.000.000 euro për restaurimin e pistës.

Marrëveshja vjen në një kohë kur ka nisur një betejë e fortë për Ballkanin Perëndimor mes Rusisë dhe SHBA-së. Moska është shqetësuar me shpalljen e forcimin e pozitës së NATO-s në Ballkan, ku si moment kulmor është marrja e bazës ajrore të Kuçovës, për ta shndërruar në bazë të saj rajonale për operacionet ushtarake të Aleancës së Atlantikut të Veriut.