Që rreth 4 orë është duke u bastisur kompania farmaceutike “Pharma Leader” pas pretendimeve të Ministrisë së Shëndetësisë për falsifikim në tenderin për insulina. Në bastisje po merr pjesë edhe Inspektorati Farmaceutik
Policia dhe Prokuroria e Shtetit kanë nisur hetimet kundër kompanisë farmaceutike “Pharma Leader”, pas pretendimeve që një ditë më parë i shprehu Ministria e Shëndetësisë për falsifikim dokumentesh e mashtrim, gjatë procesit të prokurimit për insulinat.
Siç ka mësuar KOHA, ky përbën rast të ri përkundër që në hetuesi janë bërë përpjekje që dëshmitë për falsifikim të prezantuara nga Ministria t’ia bashkëngjesin një hetimi të iniciuar nga vetë “Pharma Leader” kundër Ministrisë.
Gjatë qëndrimit të KOHËS në afërsi të objektit, pjesa dërrmuese e hetuesve që janë parë janë civilë e të pauniformuar.
Rreth orës 18 është larguar një veturë e Policisë, por brenda kanë mbetur edhe të paktën 5 policë.
Burimet i kanë thënë KOHËS se për shkak që në këtë rast është i përfshirë Inspektorati Farmaceutik i Ministrisë së Shëndetësisë, bastisja mund të zgjasë më shumë, për shkak që duhet të regjistrohet e gjithë sasia e barnave në depo.
KOHA prej dje ka provuar të kontaktojë me kompaninë, por përfaqësues të saj nuk kanë kthyer përgjigje.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, të martën njoftoi që “Pharma Leader” ka dorëzuar dokument të falsifikuar, duke mashtruar që kompania “Eli Lilly” i ka dhënë asaj autorizim për të aplikuar në tenderin për insulina.
KOHA vazhdimisht ka raportuar në lidhje me tenderin e insulinave, dhe tentativat që të vendoset standard i blerjes së barnave pa garancitë e duhura të cilësisë.