Bordi i RTK-së është duke raportuar në Komisionin për Buxhet dhe Transfere.
Sali Bashota nga Bordi i RTK-së ka thënë se raporti Financiar dhe raporti i auditorit të jashtëm i janë dërguar në kohë Kuvendit sipas ligjit dhe të dy raportet, ai i pasqyrave financiare dhe i auditorit të jashtëm janë në faqen zyrtare të RTK-së.
Sipas tij, raporti i të hyrave dhe shpenzimeve është rezultat buxhetit të paraparë me planin e biznesit dhe është në harmoni me projeksionin e miratuar nga bordi për vitin 2020.
Ai ka thënë tutje se kanë pasur më pak të hyra në marketing për shkak të dështimit të Evropianit 2020.
“Edhe pse në kohë pandemie deri në gusht të 2020 bordi nuk ka qenë i kompletuar megjithatë menaxhmenti dhe bordi kanë arritur me sukses t’i përmbushin objektivat e synuara edhe me raportin e punës edhe me atë financiar. Kemi tejkaluar shpenzimin për një pagesë për një kontratë të cilën e ka kthyer Gjykata e të cilën është detyruar RTK-ja ta paguaj. Ka pasur më pak të hyra nga marketingu për shkak të dështimit të Kampionatit Evropian. Por, kemi pasur të hyra të mira nga youtube”, ka thënë ai.
Evropiani 2020 është shtyrë për sivjet për shkak të pandemisë.
Deputeti Avdullah Hoti ka pyetur se pse nuk është ftuar në komision drejtori i RTK-së Ngadhnjim Kastrati.
Kryetari i Komsionit Armend Muja ka thënë se ka ardhur kërkesë nga RTK-ja që bordi t’i raportojë Kuvendit dhe jo drejtori.
Sipas tij, gjithashtu është kritikuar nga organizata ndërkombëtare prezenca e drejtorit në një format të tillë raportimi pasi sipas tyre jep perceptim sikur ky Komision dëshiron të intervenojë në RTK.
Hoti ka thënë se ka 20 vjet dhe çdo herë në komision ka raportuar bordi me drejtorin dhe asnjëherë nuk ka pasur asnjë vërejtje lidhur me këtë çështje.
“Ky konkludimi që po bëni ju besoj nuk qëndron, sepse vërejtja e organizata ndërkombëtare ka qenë për mënyrën se si është bërë diskutimi në këtë Komision. Mos të vijmë në përfundim që është ndërhyrje të ftohet në raportim drejtori”, ka thënë ai.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani ka pyetur se çfarë masa janë marrë ndaj menaxhmentit i cili nuk ka lejuar auditimin e pasqyrave financiare prej sa vitesh në RTK duke kërcënuar me mos të drejtë ligjore për të audituar.
Lirim Geci nga bordi i RTK-së ka thënë se këto pretendime nuk qëndrojnë.
“Ka zyrtar që kur ka ardhë auditori vitin e kaluar ka qenë për performancë dhe nuk ka qenë për çështje të aspektit financiar. Ne si bord jemi që të auditohet çdo çështje që ka të bëjë me RTK-në, ne jemi të gatshëm. Autorizojeni ZKA-në ne jemi këtu për çdo moment që çdo detaj të dalë në pah”, ka thënë ai.
Muja ka pyetur nëse janë në dijeni se në gusht të vitit 2019 drejtori i RTK-së ka dërguar letër auditorit duke iu drejtuar se ju nuk jeni përgjegjës të na auditoni neve.
Sipas tij, një letër tjetër me 2018 i ka shkuar auditorit ku konteston autoritetin e tyre për auditim.
Bashota ka thënë se nuk ka parë letra dhe nuk kanë dokumentacion.
“Duhet ta shikojmë ta shqyrtojmë. Ne duhet ti shqyrtojmë të gjitha nuk mund të flas diçka që nuk shoh”, ka thënë ai.