Arbëri

Bashkimi në fatkeqësi

Foto: Driton Paçarada / KD

Ramë Lala u bë simbol i shpresës për jetë në tragjedinë e së martës në Shqipëri, kur rreth 50 persona gjetën vdekjen dhe rreth 700 morën lëndime nga pasojat dramatike që i shkaktoi tërmeti prej më shkatërrimtarëve që ka përjetuar ky vend. U nxor i gjallë, pas dorës së fundit që njësite të specializuara nga Kosova i dhanë aksionit për shpëtimin e 17-vjeçarit.

Thirrja e këtij të riu për ndihmë përgjatë 11 orëve sa u ndodh i mbërthyer nga gërmadha, shpërthente zhurmën e gurëve që lëvizin në duart e shpëtimtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), por edhe të banorëve e njësive të tjera të shpëtimit që u ishin bashkëngjitur. Gurë pas guri, tullë pas tulle, Rama u nxor. Është mes të gjallësh sot. Ai i takon njërës prej tri familjeve Lala me prejardhje nga Kosova, që banonin në godinën e rrënuar në ish-Kënetë të Durrësit. Vetëm ai shpëtoi. Të tjerët, që ndodheshin brenda në momentin kritik, u nxorën të vdekur, shkruan Koha Ditore.

Tërmeti që shkundi edhe Kosovën, ua mori jetën edhe dy kosovarëve nga Gjilani, që ndodheshin në një hotel në Durrës, i cili u shkatërrua i tëri nga dridhjet tektonike – vëllezërve Shemsedin e Isa Abazi. Ai pati epiqendrën në Adriatik. Ishte 6.4 shkallë Rihteri dhe ndodhi në orën 3:55.

Dy orë më vonë, njësitet e specializuara të FSK-së u bënë gati për t’ia mësyrë zonës së tërmetit. E, tri orë të tjera morën procedurat për nisjen e misionit jashtë vendit, meqë procedura për mision në Shqipëri është e njëjtë si për pjesëmarrje në çfarëdo shteti tjetër të botës.

Kolona automjetesh me skuadra shpëtimi marshuan “Rrugës së Kombit”. Para mesdite mbërrin në vatrat e goditura, duke u bërë misioni i parë përtej kufirit të Shqipërisë që përfshihet në aksion shpëtimi të kësaj fatkeqësie natyrore, e cila dëmet më të mëdha i shkaktoi në Tumanë dhe në Durrës.

Ekipi u nda në dy grupe operuese dhe është dislokuar në të dyja zonat më të atakuara. Punën e ka nisur saktësisht në orën 11:00 të së martës.

Nusret Buzhala është oficer i FSK-së dhe ka qenë pjesë e operacionit të kërkim-shpëtimit në Durrës. Ai tregon se përpos kapaciteteve njerëzore, me vete kishin edhe kapacitete mbështetëse, sikur “K9”-shin, njësit i qenve nuhatës, si dhe kamera termike për të lokalizuar njerëz nën gërmadha.

“Ekipet tona kanë realizuar ndër vëzhgimet e para, për të lokalizuar viktimat ose njerëzit që kanë qenë të gjallë nën rrënoja. Mandej kanë ardhur ekipet plotësuese nga vendet e tjera”, ka treguar Buzhala. “Deri më tani ka persona që janë nxjerrë të gjallë, por fatkeqësisht shumica kanë qenë të vdekur”.

Mediat në Tiranë i dhanë epitetin prej heroi qenit me emrin “Satak”, pjesë e skuadrës “K9”. Ai ka mbërritur të lokalizojë njerëz të gjallë nën rrënoja, e edhe trupa të pajetë.

Krah tyre ishin edhe ekipe nga Njësia e Menaxhimit të Emergjencave, si dhe nga Policia e Kosovës.

Amir Gërguri, shef i Njësisë Speciale të Policisë, po kështu ka qenë i përfshirë në operacione.

“Ka qenë një detyrë sfiduese”, ka thënë Gërguri. “Ka pasur situata për Njësinë Speciale të Policisë së Kosovës që janë sfiduar edhe me rrezikun për jetë, me qëllimin e vetëm që t’i shpëtojnë ata që kanë mbetur nën rrënojat e objekteve të rrënuara nga tërmeti”.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pati një dedikim të menjëhershëm për operacionin e këtyre njësive. Ai shprehu mirënjohje për trupat speciale të Kosovës, për të cilat tha të ishin bërë në ditën kritike “shëmbëlltyra heroike e bashkimit në dhimbje e në sakrificë të kombit tonë”.

“Ne” dhe “ata”

Përderisa në zonat e tragjedisë, uniformat po luftonin për t’i nxjerrë nga gërmadhat jetët e ngujuara, në Kosovë veçse kishin nisur aksionet për ndihmë të prekurve. Një mobilizim që nuk ishte parë ndonjëherë, që prej dy dekadash kur vendi u çlirua pas luftës kundër regjimit të Serbisë së Slobodan Milosheviqit.

Në kohë lufte, Shqipëria hapi dyert për qindra e mijëra kosovarë që ky regjim i kishte deportuar. Spitalet, veçmas të qyteteve të veriut, u kthyen në shpresë për jetë, për shumë kosovarë me plagë lufte. Shteti ishte mobilizuar, mes të tjerash, edhe për ta furnizuar me armatim guerilen që po e luftonte ushtrinë e Serbisë. Shumë qytetarë të Shqipërisë vendosën të rreshtoheshin në front brenda Kosovës – jo pak ranë dëshmorë.

Përpos të tjerash, tragjedia që shkaktoi tërmeti, nga kosovarët u pa edhe si moment kur duhej ta jepnin provën. Ta kthenin borxhin.

Brenda pak kohe, miliona euro mblodhën fonde të ndryshme, në të cilat kanë participuar prej biznesmenëve, e deri te pensionistët që ndanin çerekun e atyre pak të ardhurave mujore që sigurojnë. Dyert e shtëpive dhe hoteleve u hapën dhe pranuan shumë mysafirë. Gatishmëria për të dhuruar gjak për të plagosurit nuk përballoi kapacitetet e Qendrës së Transfuzionit.

Kamionët u bënë kolonë me ndihma në ushqime e veshmbathje, që ishin mbledhur gjithandej Kosovës. Kolona më e madhe vërehej në kufirin mes dy shtetesh të banuara nga më shumë se 90 për qind shqiptarë. Ndërkaq, një kolonë e re të priste disa kilometra në thellësi të Shqipërisë, ku autoritetet qeveritare kanë vendosur laurat në “Rrugën e Kombit”, të cilat s’e lënë kë të kalojë pa paguar një tarifë, më e ulëta 5 euro.

Barrierat e vëna nga politika u vërejtën edhe në kohë tragjedie.

Një i ri nga Shqipëria shprehi mllefin në Facebook. Postimi u viralizua.

“Sot ra pika kufitare e Morinit. Pres që nga nesër punonjësit t’ia vënë vetë flakën. Kujt i hyn në punë pika e kalimit kufitar në një korridor shtëpie?; Sot ra pika e prerjes së biletave në Kukës. Kujt i hyn në punë ajo biletë, kur Kosova sot pagoi abonenë e përjetshme?; Sot ra barriera ‘ne’ dhe ‘ata’. Parimi i përjetshëm: ‘Kush qan me mua dhembjen time është unë’; Sot ra Kushtetuta. Një ushtri e huaj shkeli vendin dhe ne nuk jemi në luftë. Duhet Kushtetutë e re. Ajo ushtri nuk është më e huaj”, kishte shkruar në profilin e tij Erion Dervina, i cili ditën e tërmetit ndodhej në Bruksel. “Sot ranë festimet e Ditës së Flamurit. Kuptuam që festa më e madhe ende nuk ka ardhur. E festat ndahen me kë ndan dhembjen”.

Kjo përmbajtje u shpërnda nga dhjetëra e mijëra njerëz.

Dervina i tha gazetës se statusi i tij u viralizua aksidentalisht, e jo si qëllim në vetvete. Ai dha një falënderim për energjinë me të cilën djemtë dhe vajzat e Kosovës “ndriçuan një dhomë që ra në errësirë, siç ishte Shqipëria dje (të martën v.j)”.

Por, edhe në kohë errësire janë politikanët në të dyja anët e kufirit që nuk e tejkaluan veten. Ata i demonstruan ndasitë, që fillin e kanë pas një iniciative që synonte shkëmbimin e territorit mes Kosovës dhe Serbisë, si një zgjidhje përfundimtare që u kundërshtua në masë në Kosovë. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ishin pro kësaj formule dhe punonin për këtë. Kundër ishin kryeministri Ramush Haradinaj, dhe presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta. Përplasjet në distancë mes tyre, që në jo pak raste degradonin në fyerje, kanë bërë që komunikimi mes homologësh të ndërpritet prej më shumë se një viti.

“Sapo fola me kryeministrin Edi Rama, ku u informova për gjendjen pas tërmetit që goditi Shqipërinë”, kumtoi presidenti Thaçi, mëngjesin e së martës. “Kryeministrin Rama e sigurova se Kosova do të jetë në mbështetje dhe përkrah Shqipërisë. Tashmë njësitë përkatëse të Forcës së Sigurisë së Kosovës janë nisur drejt zonave të dëmtuara nga tërmeti”.

“Sapo kam zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin Ilir Meta, të cilit i shpreha solidaritetin dhe gatishmërinë e popullit të Kosovës për të ofruar tërë ndihmën e nevojshme për të përballuar këtë situatë të rëndë në Shqipëri”, kumtoi kryeministri Haradinaj. “Kam kërkuar nga gjenerali Rrahman Rama, drejtori i Policisë, Rashit Qalaj, që të mobilizojnë të gjitha njësitet emergjente për t’iu dalë në ndihmë shtetit dhe qytetarëve të Shqipërisë me të gjitha kapacitetet e nevojshme”.

Imer Mushkolaj është publicist. Sipas tij, ky komunikim përbën treguesin më të mirë se si funksionon politika shqiptare e ndasive dhe e inateve.

“Në vendet normale, me politikanë normalë, në raste të tilla të rënda presidenti flet me presidentin e kryeministri me kryeministrin. Tragjedia do të duhej t’i fshinte ndasitë politike”, ka thënë Mushkolaj. “Për fat të keq, marrëdhënia mes Kosovës dhe Shqipërisë më tepër është marrëdhënie private mes liderëve të caktuar institucionalë, sesa marrëdhënie ndërshtetërore dhe përplasjet dhe mospajtimet mes liderëve të të dyja vendeve janë aq të mëdha sa që shihen haptas. Kjo marrëdhënie private e tyre pastaj ndikon që bashkëpunimi të mos jetë serioz, por të konsiderohet si diçka që varet nga disponimi i njërit apo liderit tjetër”.

Simulim bashkëpunimi

Shqipëria është goditur nga tërmeti shkatërrimtar, dy ditë përpara se ta festonte 107-vjetorin e pavarësisë. Mëvetësia e gjithë viseve shqiptare si një shtet unik është shpallur më 28 nëntor të 1912-s, por në dhjetorin e atij viti, në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, është pranuar vetëm ajo në kufijtë e tashëm administrativë. Për pasojë, Kosova dhe vise të tëra mbetën jashtë.

Kosova, ndërkaq, është pavarësuar tek më 17 shkurt të 2008-s dhe është njohur nga shumica e vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara, por ende nuk është pjesë e kësaj organizate. Në Kushtetutën e shtetit të ri mohohet mundësia për çfarëdo bashkimi me një shtet tjetër.

Pas çlirimit që ndodhi në qershor të 1999-s, shkëmbimi mes të dyja vendeve ka shënuar rritje. Ndërkaq, pas pavarësisë, të dyja shtetet kanë firmosur numër të madh marrëveshjesh, qëllimi i të cilave ishte një qeverisje e përbashkët strategjike me një vizion euroatlantik. Kanë të nënshkruar edhe një protokoll bashkëpunimi ndërqeveritar, i cili përfaqëson kornizën e plotë institucionale të marrëdhënieve ndërmjet këtyre shteteve në të gjitha fushat, duke filluar nga ekonomia e deri tek arsimi. Pjesa më e madhe e tyre kanë mbetur vetëm në letër.

Zëvendëskryeministri Fatmir Limaj në mandatin që ndodhet në përmbyllje ka qenë koordinator për zbatimin e marrëveshjeve dypalëshe. Ai ka refuzuar të tregojë për shkaqet që kanë prodhuar stagnim në zbatimin e tyre.

Belul Beqaj është profesor i shkencave politike dhe thotë të ketë vetëm simulim bashkëpunimi në mes të Kosovës dhe Shqipërisë.

“Solidariteti qytetar si reflektim i ndjenjës humane dhe nacionale që po shfaqet gjatë dhe pas tërmetit shkatërrues po i neutralizon marrëveshjet improvizuese qeveritare”, ka thënë Beqaj. “Pra, kemi një sinergji bashkëvepruese qytetare si ndjenjë e përgjegjësisë së ndërsjellë, në njërën anë, dhe në anën tjetër simulimet e bashkëpunimit qeveritar që më shumë është synim, sesa realitet”.

Këtë vit, qeveritë e të dyja vendeve kanë përgatitur një marrëveshje, për të aplikuar një lloj “mini-Schengeni” në territoret e tyre. Është voluminoz drafti i saj, një kopje të së cilës e ka siguruar gazeta. Nis me preambulën, e që në fillim precizon formën e heqjes së kontrolleve. Dokumenti trajton edhe aspektet e vizave për palët e treta, por edhe bashkëpunimin policor dhe formën e trajtimit të transportit të mallrave. Si “kufij të brendshëm” aty ishin definuar kufijtë e përbashkët tokësorë të të dyja vendeve, e edhe aeroportet e tyre, ndërsa “i huaj” ishte paraparë të konsiderohej çdo person që nuk është shtetas i njërit prej këtyre dy shteteve. E, “pikë e kalimit kufitar” nuk konsiderohej asnjë nga pikat e kalimit mes Kosovës e Shqipërisë, por vetëm ato për kalimin e “kufijve të jashtëm”.

Por negociatat nuk shkuan deri në fund dhe marrëveshja nuk u firmos. Palët nuk dhanë shpjegim për dështimin.

Në dy muajt e fundit, kryeministri Rama iu ofrua kosovarëve me një tjetër “mini-Schengen” – atë me të gjashtë vendet e rajonit, përfshirë Serbinë dhe Bosnjë-Hercegovinën që ende nuk ia kanë njohur shtetësinë Kosovës. Në Prishtinë kjo nismë rajonale është refuzuar. Dhe, kjo iniciativë e re shërbeu për një valë të re polemikash në distancë mes eksponentësh politikë andej e këtej kufirit.

Analistët thonë se efektet e kësaj forme të komunikimit të ndërsjellë, nuk mund të jenë tek ndjesia që shqiptarët e kanë për njëri-tjetrin, pavarësisht se nga kush udhëhiqen.

Belul Beqaj, tek flet për bashkëpunimin shterp institucional, e edhe për çarjet mes liderëve, konsideron se burimi është tek egoja për protagonizëm.

“Konsideroj se esenca e degradimit të ndërsjellë ndërlidhet me ambiciet protagoniste të liderëve të deritanishëm”, thotë ai. “Besoj se pasojat më të mëdha janë në raport me faktorin ndërkombëtar, sesa të bashkëpunimit kombëtar – këtë po e dëshmon solidariteti i këtyre ditëve”.

Imer Mushkolaj ka mendim të përafërt.

“Pavarësisht qasjes që ka pasur kohëve të fundit kryeministri i Shqipërisë në raport me Kosovën, që nga vendosja e taksës rrugore që i ka irrituar shumë, e deri te ideja e ‘mini-Schengenit’ (rajonal v.j.) dhe koketimi me Vuçiqin, prapëseprapë solidariteti i kosovarëve me rastin e tragjedisë atje ka treguar se marrëdhënia është shumë më e fortë, sesa raportet politike për konsum ditor”, ka thënë ai. “Po ashtu, ka treguar se vullneti i qytetarëve mund t’i shembë këto barriera që i ka ngritur politika me qëllim, siç e shembi edhe atë laurën ... për pagesë 5 euro, edhe pse përkohësisht”.

Debati i krijuar në të dyja anët e kufirit për tarifën që detyroheshin ta paguanin edhe automjetet e kosovarëve të ngarkuara me ndihma në ushqim e veshmbathje për të prekurit nga tërmeti, e ka bërë të reagojë edhe kryeministrin Rama. Ai u është kundërpërgjigjur edhe kundërshtarëve të “mini-Schengenit” rajonal. Tha të jetë gënjeshtër me bisht që u kërkohet “taksë” kalimi automjeteve që sjellin ndihma në Shqipëri, ani se këtë kosovarët e dëshmonin me kuponin e pagesës që u lëshohej në Kalimash, ku janë të vendosura laurat. Sipas Ramës, kompania që investon në Rrugën e Kombit dhe garanton mirëmbajtjen e saj, e ka marrë përsipër mbulimin e shpenzimeve të kësaj “takse” për çdo automjet ndihmash.

“Tarifa e shërbimit (jo taksa, po tarifa e shërbimit për Rrugën e Kombit), nuk është një tra i vendosur për të penguar shqiptarët të vijnë nga Kosova a të shkojnë në Kosovë, siç predikojnë ata që s’e kanë mësuar akoma atë shprehjen kuptimplotë, që në paqe forma më e lartë e patriotizmit është të paguash taksat”, është kundërpërgjigjur Rama. “Jo, ajo tarifë është një kontribut i çdo përdoruesi të rrugës, për ta pasur rrugën që përdor sa më optimale dhe sot, nuk del dot dikush që i ka sytë në vend që të thotë se Rruga e Kombit, nuk është shumë më e sigurt e më e mirëmbajtur, sesa përpara vendosjes së tarifës”.

Pastaj ka pasur kundërpërgjigjen edhe për iniciativën e fundit rajonale, të ndërmarrë me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, dhe me kryeministrin maqedonas, Zoran Zaev.

“Unë nuk isha hero kur e mbrojta pavarësinë e Kosovës në mes të Beogradit dhe ju më bëtë hero! As nuk jam tradhtar sot, kur mbroj dhe do ta mbroj deri në fund idenë e Shengenit rajonal”, është kundërpërgjigjur kryeministri i Shqipërisë. “Jo, unë jam po ai, që as nuk fluturoj kur më bëjnë hero, as nuk ndalem kur më bëjnë tradhtar, e u dal për zot fiks po njësoj, bindjeve e ideve të mia. Sepse nuk e kam marrë këtë detyrë për t’iu pëlqyer të gjithëve çdo ditë, po për t’u kujtuar me respekt nesër edhe nga ata që s’do më duan kurrë, kur ditët e mia në detyrë të kenë mbaruar; si një shqiptar kokëfortë që i shërbej me zemër vendit tim, që e mbroj të vërtetën time me gjithë zemër dhe që di ta bëjë këtë detyrë më mirë se të tjerët – deri kur të dalë natyrisht ndonjë tjetër, që s’e njohim akoma”.

Momenti i ri

Pozicionet e politikanëve kishin nisur ta bënin të veten. Javën e shkuar, janë publikuar rezultatet e një hulumtimi të Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KFOS) dhe Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipëri (OFSA), i cili kishte për qëllim ta bënte matjen e qëndrimeve, perceptimeve dhe njohurive të qytetarëve të Shqipërisë dhe Kosovës për temat që kanë të bëjnë me ndërveprimet mes shteteve dhe qytetarëve, si dhe bashkëpunimit mes vendeve të rajonit, qëndrimeve ndaj bashkimit kombëtar, integrimeve evropiane dhe çështjeve të tjera.

Hulumtimi i realizuar me 2.504 qytetarë në periudhën tetor-nëntor të vitit të shkuar ka treguar se sikur t’u jepej mundësia të deklaroheshin në referendum për bashkimin kombëtar, 75 për qind e shqiptarëve në Shqipëri do të votonin pro, sikurse edhe 64 për qind e shqiptarëve në Kosovë. Kësisoj, është ndër hulumtimet e rralla që disponimin për bashkim e nxjerr në shkallë më të lartë në Shqipëri, sesa në Kosovë.

Megjithëkëtë, rezultati tregon vullnet më të zbehtë, sesa në hulumtime të realizuara vite më herët. Por mbështetur në rezultatet e hulumtimit të fundit, zbehja është e ndikuar nga diskursi politik, sipas të cilit bashkimi përjashton procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. Janë 42 për qind e respodentëve në Kosovë dhe 37 për qind e atyre në Shqipëri që kanë shprehur mendimin se “bashkimi kombëtar” dhe “anëtarësimi në BE” janë procese që e kundërshtojnë njëri-tjetrin. Dhe, nëse do t’iu duhej ta zgjidhnin vetëm një opsion, ata do t’i jepnin prioritet “anëtarësimit në BE” para “bashkimit kombëtar”.

Në tetor, Kosova ka pasur zgjedhje të parakohshme, rezultati i të cilave e ka nxjerrë fituese Lëvizjen Vetëvendosje, subjekt politik që prej themelimit insiston në realizimin e të drejtës së kosovarëve për të vendosur nëse duan të bashkohen me Shqipërinë. Eksponentë të këtij subjekti politik janë edhe nga Shqipëria, ndërsa së fundmi në këtë shtet ka nisur operimin Lëvizja Vetëvendosje, themelues të së cilës organizatë janë shtetas të Shqipërisë që kishin vepruar në partinë me të njëjtin emër në Kosovë.

Albin Kurti, kryetar i Vetëvendosjes dhe kandidat për kryeministër, e festoi fitoren edhe në Shqipëri. Në një forum të organizuar nga shteti shqiptar në Tiranë, ku ai u ftua si mysafir, pjesëmarrësve që ishin nga vende të ndryshme të botës, iu drejtua me “mirë se keni ardhur”, duke demonstruar nikoqirllëk aty. Ndërkaq, edhe në paraqitje publike, këtë javë ai ka deklaruar të jetë pro një federate Kosovë-Shqipëri.

Gazeta i ka adresuar Kurtit disa pyetje që ndërlidhen me këtë projekt, por nuk ka kthyer përgjigje.

Fitorja e Vetëvendosjes nuk e bën gjithë kontekstin e ri politik, e që nxit zërat për nivel tjetër bashkëpunimi. Krahas saj, moshapja e negociatave për Shqipërinë këtë vjeshtë, përkundrejt premtimit të BE-së, ka prodhuar edhe debatin për nevojën e bashkimit. Megjithëkëtë, kryeministri Rama dhe kryeministri në ardhje Kurti kanë demonstruar ftohtësi në raportet mes tyre.

Belul Beqaj tregon nëse mund të jetë i realizueshëm plani i Lëvizjes Vetëvendosje për federatën.

“Besoj se politika përafruese duhet të jetë konstante, e cila nuk po varet aq shumë nga pushtetet, ngase gjithnjë e më shumë po vjen në shprehje ndjenja e varshmërisë reciproke brenda kombëtare. Aq më parë kur vazhdimisht po humbet interesimi i BE-së për këtë regjion”, ka thënë ai. “Çështje krejt tjetër është arritja e modelit kushtetues dhe politik. Në këtë kuptim, duhet të bëhen veprime të kujdesshme, të cilat nuk i prishin balancat gjeostrategjike dhe faktorizimin e mëtejmë kombëtar”.

Imer Mushkolaj, ndërkaq, thotë se Kosova dhe Shqipëria do të duhej të kishin marrëdhënie të privilegjuara. Ai druan se gjërat nuk do të ndryshojnë, as pas kontekstit të ri.

“Pikërisht politika e inateve dhe interesat e mëdha personale të liderëve andej e këndej kufirit, e kanë sjellë situatën që këto raporte të jenë të ngjashme e shpeshherë edhe më të zbehta sesa me shtete të tjera në rajon”, ka theksuar ai. “Derisa të vazhdojë qasja individualiste e njerëzve që udhëheqin të dy shtetet në funksion edhe të promovimit të protagonizmit të tyre, situata nuk ndryshon”.

Por është tërmeti që rrënoi gjithçka në Durrës, ai që ngjalli solidaritetin ndërshqiptar dhe që ringjalli nevojën për më shumë bashkëpunim, e edhe për bashkim mes të dyja vendeve.