Bashkëpartiakët e kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti të cilët drejtojnë edhe komuna, po kërkojnë nga partitë opozitare që të votojnë pro ratifikimit të marrëveshjeve ndërkombëtare, ku përfshihet edhe kredia për trajtimin e ujërave të zeza në komunën e Gjilanit.
Qeveria e Kosovës është në telashe meqë nuk po arrin të sigurojë votat nga 2/3 deputetëve të cilat kërkohen për ratifikimin e një marrëveshjeje ndërkombëtare.
Qeveria, gjithashtu, nuk po arrin të rishikojë buxhetin për shkak se nuk i ka votat e mjaftueshme në Kuvendin e Kosovës.
Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lirije Kajtazi ka qëndruar në fshatin Malishevë të Gjilanit ku edhe ka kërkuar unifikim të skenës politike e votat pro, me të cilat mundësohet ratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare ku përfshihet edhe marrëveshja për hua ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Projektin e Zhvillimit të Ujërave të Zeza në Gjilan.
Ajo ka thënë se mosratifikimi i marrëveshjeve ndikon negativisht në projektet siç është edhe projekti i ujërave të zeza në Gjilan, i cili është në pritje.
“Dua t’i lus kolegët e mi, siç i kemi tejkaluar më herët kornizat partiake, në mënyrë që me i sjellë projektet në të mirë të qytetarëve. Kapacitetet e komunave janë të limituara për t’iu përgjigjur kërkesave milionëshe, por me rëndësi janë në rrugën e duhur dhe atë përkrahje që e kanë fituar me një kalim formal me një ratifikim të marrëveshjes me BERZH-in e votojmë dhe jetësohet”, ka thënë ajo.
Ndërkohë, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri ka deklaruar se është bërë një punë e gjatë në përgatitjen dhe sigurimin e fondeve për trajtimin e ujërave të zeza në Gjilan ku përfshihet zona rurale dhe zona urbane. Ai është shprehur i çuditur me lëvizjet e partive opozitare, duke përmendur kështu Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), e cila sa ishte në qeverisje, kishte punuar në këtë projekt, por tani nuk është shprehur e disponuar që të votojë pro ratifikimit.
Kurse drejtoresha për zhvillim ekonomik, Valbona Tahiri ka deklaruar se deputetët e Kuvendit duhet të votojnë pro ratifikimit por edhe të votojnë edhe për pakon për rimëkëmbje ekonomike që është propozuar nga Qeveria.
Ndërkaq edhe kryesia e fshatit nga Malisheva ka kërkuar që projekti për ujërat e zeza të realizohet.
Subjektet politike të cilat përfaqësohen në nivelin komunal në Gjilan e bëjnë përgjegjëse Qeverinë Hoti për mosmenaxhim të duhur të shtetit.
Shefi i grupit të këshilltarëve komunalë të PDK-së, Riza Abdyli deklaron se nuk është detyrë e tyre që të sigurojnë numrat për miratimin e ligjeve apo të marrëveshjeve të tilla.
“Opozita nuk e ka për detyrë që në Kuvendin e Kosovës t’i sigurojë votat për Qeverinë. Tash ata duhet të merren me sigurimin e votave. Ata kanë probleme brenda partisë së tyre sa i përket votave” ka thënë ai.
Kurse shefi i grupit të këshilltarëve të Vetëvendosjes, Nevzad Isufi ka thënë se subjekti i tyre vlerëson se Qeveria Hoti është zgjedhur në mënyrë jo demokratike dhe se nuk duhet të presin që ata të votojnë pro.
“Ata kanë ardhur krejtësisht në mënyrë jodemokratike në pushtet. Dhe mos të presin që do të votojmë në iniciativat e tyre në Kuvend. Sa i përket deputetet Lirije Kajtazi ajo nuk është e njohur se ka ngritur çështje me rëndësi në Kuvendin Komunal apo të ketë folur për problemet e qytetarëve. Këta po tentojnë që të keqpërdorin politikisht temën e ujërave të zeza në Gjilan”, ka thënë ai.