Arbëri

Bashkatdhetarë të shumtë vijnë në Kosovë për Ditën e Pavarësisë

Me një valixhe në dorë, i kënaqur që ka vendosur ta vizitojë Kosovën, Astrit Kasumaj doli me hapa të shpejtë nga dyert e “mbërritjeve” në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës. Kthimi në atdhe të enjten për të ishte shumë më i veçantë.

Qëllimshëm, ai kishte prerë biletën për 17 Shkurt në mënyrë që 14-vjetorin e Pavarësisë ta festonte në vendlindjen e tij.

Që nga shpallja e Pavarësisë, kjo ishte hera e tretë që Kasumaj po festonte këtë ditë në Kosovë.

“Sot kam zgjedhur të jem në Kosovë, sepse kemi kontribuar për këtë ditë të bekuar”, ka thënë ai.

Përveç peshës kombëtare që mban kjo datë, ai kishte arsye edhe më të mëdha për të festuar, duke përmendur kështu kontributin për shtet të pavarur të shumë dëshmorëve e të ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pjesë e së cilës kishte qenë edhe ai vetë.

“Unë jam ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe lutem që ta gëzojmë këtë ditë, sepse për të kemi kontribuar shumë. Kjo është hera e tretë që vij. I kam lënë fëmijët vetëm në Zvicër dhe kam ardhur me të shoqen pa qare, sepse kam dashur ta bashkëndiej dashurinë për këtë ditë dhe ta festoj me bashkëvendësit e mi”, ka thënë Kasumaj.

Ndonëse për disa mërgimtarë ishte hera e parë që qëllonin në Kosovë në këtë ditë feste, për disa të tjerë tashmë kjo ishte kthyer në ritual.

“Unë jam pensionist dhe pak shkoj atje, pak rri këtu. Por, për pavarësi vij për çdo vit, për çdo vit. Këtë jam munduar ta kultivoj edhe te fëmijët e mi, që kur të kenë pushim të vijnë sa më shpesh në Kosovë dhe jo vetëm për këtë festë”, thotë një mërgimtar tjetër.

Të shumtë ishin ata që shpreheshin njësoj se tashmë ardhja në Kosovë për Ditën e Pavarësisë u është bërë zakon.

Por, për dikë tjetër, Kosova të enjten ishte vetëm tranzit, meqë Ditën e Pavarësisë së saj kishte planifikuar ta festonte në një shtet tjetër.

“Kjo është hera e parë, por nuk do ta festoj në Kosovë. Bashkë me shokët e gjimnazit do të shkojmë në Shqipëri për të festuar”, thotë njëri nga mërgimtarët që në Kosovë mbërriti herët në mëngjes.

Numër i madh i mërgimtarëve gjendeshin edhe në sheshet e kryeqytetit, ku kishin dalë ta përcillnin parakalimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Për ta, në këta 14 vjetët e Pavarësisë Kosova ka arritur kënaqshëm suksese, edhe pse vlerësojnë se ka rrugë të gjatë përpara për t’i arritur shtetet prej nga ata vijnë.

“Unë kam ardhur prej Gjermanisë pikërisht për ta festuar Pavarësinë e Kosovës dhe për ta ndier kënaqësinë e kësaj feste si të gjithë qytetarët e tjerë të Kosovës. Sot jam duke festuar dhe jam jashtëzakonisht i gëzuar që jam këtu”, ka thënë një bashkatdhetar tjetër.

Për të enjten, Ditën e Pavarësisë, ishin të planifikuara 12 fluturime për në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, pesë nga to vetëm nga Zvicra, tri nga Turqia, dy nga Gjermania dhe nga një fluturim prej Anglisë dhe Austrisë.