Arbëri

Basha: Kosova e Shqipëria ende nuk janë çliruar plotësisht nga kultura e dhunshme

Altin Basha

Publicisti Veton Surroi dhe regjisori Altin Basha diskutuan në podcastin "PIKË” ndikimin e kulturës së dhunshme në shoqëritë e Shqipërisë dhe Kosovës, duke e lidhur këtë fenomen me pasojat e periudhave të dhunshme historike dhe ndikimin e tyre në formësimin e kulturës dhe shoqërisë moderne. 

Altin Basha theksoi se të dyja shoqëritë, shqiptare dhe kosovare, ende nuk janë plotësisht të çliruara nga ndikimi i dhunës, duke e quajtur këtë proces të gjatë dhe të komplikuar. Ai përmendi si shembuj dhunën e periudhës së komunizmit në Shqipëri, ku pasojat e regjimit të Enver Hoxhës dhe ato të tranzicionit të dhunshëm të vitit 1997, vazhdojnë të jenë të pranishme në jetën e përditshme. Në Kosovë, ai e lidhi kulturën e dhunës me pasojat e luftës dhe rezistencës kundër kriminelit serb Sllobodan Millosheviqit, të cilat janë ende pjesë e rrëfimeve të shoqërisë.

Basha theksoi se, për fat të keq, shoqëritë e të dyja vendeve nuk e kanë reflektuar plotësisht dhunën historike, siç do të duhej, dhe se shumë nga këto ngjarje janë trajtuar vetëm sipërfaqësisht. Sipas tij, kjo ka ndikuar edhe në zhvillimin e kulturës, ku mungesa e individualiteteve të forta kulturore dhe artistike ka bërë që reflektimi mbi dhunën të mos jetë i thellë dhe i plotë. Ai gjithashtu vuri në dukje se në Shqipëri, fenomeni i narkoshtetit dhe krimi i organizuar janë pasqyra të një kulture të dhunshme që ka ndikuar në strukturat e shtetit dhe shoqërisë.

Surroi, nga ana e tij, u shpreh se procesi i përpunimit të dhunës është i rëndësishëm për ndërtimin e një shoqërie më të shëndetshme dhe të zhvilluar, duke theksuar se ky është një proces që kërkon kohë dhe angazhim të thellë nga shoqëria. Sipas tij, reflektimi mbi këto periudha të dhunshme është thelbësor për ndërtimin e një identiteti më të fortë dhe përparimin e kulturës.


 

Lexo përditësimet tjera
Podcasti Pike me Veton Surroin - Altin Basha

PIKË me Veton Surroin: Pse po e kopjon politika Portokallinë, Cimën e Lecin?

Në episodin e katërt të podcastit PIKË, publicisti Veton Surroi dhe mysafiri i këtij episodi, regjisori...