Banorët e fshatit Bardhosh të Prishtinës po përballen me mungesë të madhe të energjisë elektrike. Disa prej tyre janë bërë pishman që dëgjuan thirrjet për të kaluar në ngrohje me klima e pompa termike. Në KEDS thonë se dëmet në rrjet janë të mëdha si pasojë e ngarkesës, e ky problem me furnizim ka hapur edhe një front mes pushtetit e opozitës
Bardhoshi ka disa ditë që po përballet me reduktime e me ndërprerje të njërës fazë, por, sipas banorëve të këtij fshati të Prishtinës, në dy ditët e fundit nuk ka pasur fare energji elektrike.
Banorët e quajnë të papranueshme këtë situatë, që ka prekur edhe fshatra e komuna të tjera në këtë fillim dimri.
“Na kem pasë shumë herë ndërprerje, reduktime. Ato e dimë na që duhet me kanë ama kësaj here ka qenë diçka e jashtëzakonshme, dy ditë nuk kemi pasë rrymë hiq, as pardje e as dje”, ka thënë një banor.
Disa banorë të tjerë fajësojnë edhe Qeverinë, që me thirrje për ndarje të subvencioneve i nxiti të kalojnë në ngrohje me klima e pompa termike, si më pak shpenzuese të energjisë.
“Si në befasi na kanë zënë, se njëherë na thanë jo me klima, jo anej edhe jemi drejtu qasaj pune. Shtëpiaket qa janë kanë nëpër frigoriferë janë prishë, janë dëmtu, televizori, ajo ..ajo. Ndonjëherë po vjen e fortë e herë e ligë edhe na jemi shumë në humbje”, është shprehur një banor tjetër i Bardhoshit.
Zëdhënësi i KEDS-it, Lulzim Krasniqi, ka arsyetuar reduktimet me ngarkesën në rrjetin elektro-energjetik që po shkakton dëme të mëdha.
Konsumi ditor, sipas tij, ka arritur nivele të papërballueshme.
“Një numër i caktuar i konsumatorëve e përdorin energjinë elektrike si të vetmin burim për ngrohje, gjë që po çon te ngarkesat e mëdha në rrjet. Në fakt rrjeti ynë shpërndarës nuk është i paraparë për ngrohje, është i projektuar për të furnizuar me energji elektrike shtëpitë, bizneset, në bazë të kërkesave, por jo edhe për ngrohje... Konsumi ka shkuar deri në 1 mijë e 500 megavate për orë”, ka thënë Krasniqi.
Kriza me energjinë elektrike ka nxitur debat edhe politik ditëve të fundit.
Teksa nga Ministria e Ekonomisë kanë bërë thirrje për kursim të energjisë, nga opozita e kanë kritikuar Qeverinë për dështim në këtë sektor. Lideri i AAK-së, e ka quajtur Qeverinë Kurti Qeveri të territ.
“Kjo Qeveria e territ. Ma patën kundërshtuar me krejt fuqinë, projektin e kontraktuar të termocentralit ‘Kosova C’, që Kosovën e bënte fuqi energjetike, me arsyetimin se çmimi i megavatit prej 80 eurosh, ishte i lartë e sot e paguajnë mesatarisht ka 400 euro; E kundërshtuan gazin amerikan e dolën me bajrak kundër tij; U përfshinë në tregti të energjisë, deri me GEN-in e Beogradit dhe u vunë në mbrojtje të sekserëve të tyre si Martin Berishaj e Nagip Krasniqi, që kishin shpërdoruar miliona euro të buxhetit të Kosovës; Kur e morën pushtetin, bojshin hajgare me ‘bojlera e filtera’. Tash kur Kosova është në kolaps energjetik dhe kur pjesa më e madhe e vendit është në terr, mundohen ta shkarkojnë fajin te KEDS-i. E shtrenjtuan rrymën për tri herë e asgjë nuk qiten në dritë. Këta kurrë asgjë nuk qiten në dritë”, ka shkruar Hajradinaj në Facebook të enjten.
Sektori i distribuimit të rrymës është privatizuar më 2013 gjatë Qeverisë Thaçi 2, dhe menaxhohet nga kompania private KEDS.