Arbëri

Baraliu: Pushtetit i konvenojnë zgjedhjet e parakohshme

Njohësi i Kushtetutës, Mazllum Baraliu, ka deklaruar se dy partive në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje dhe Listës Guxo i konvenojnë zgjedhjet e parakohshme, duke theksuar se opozita në anën tjetër, do të kërkonte që Qeveria të përfundonte mandatin e plotë.

Sipas tij, pushteti do të shfrytëzojë ndryshimin e Ligjit për Zgjedhje për përfshirje direkte të diasporës në procesin zgjedhor.

“Pushtetit i konvenon shkuarje në zgjedhje, opozita ka nevojë ndonëse kanë bërë përgatitje, opozitës i duhet një mandat i plotë. Edhe për opozitën është më mirë të shkohet deri në fund mandati. Pozita do të shfrytëzojë ndryshimin e Ligjit për Zgjedhje, që parashihen ndryshime të rëndësishme për inkorporimin e diasporës në zgjedhje. Diku zgjedhjet mund të jenë në korrik ose në gjysmën e parë të gushtit, kur do të ketë direkt nga diaspora njerëz që do të vijnë”, ka thënë ai të enjten në “60 Minuta” të KTV-së.

Sipas Baraliut, as Qeveria Kurti s’i ka arritur qëllimet, duke thënë se një ndër to është edhe çështja e dialogut me Serbinë “që s’ka epilog”.

“Ky është vit zgjedhor, e disa çështje mund të kryhen, por dialogu është i vdekur”, u shpreh ai.

Ai ka theksuar Kosova gjendet në një moment kritik të historisë ku opozita e pushteti do të duhej të ishin bashkë.

“Është i rëndësishëm që koalicioni qeverisës të ketë një mandat të plotë. Do të ishte historike kjo ngjarje dhe do të futej në histori. Ky koalicion nuk është që i ka arritur qëllimet e tij, e disa punë që i ka filluar janë të rëndësishme si në infrastrukturë që janë zvarritur jo vetëm me vite, por edhe me dekada”, ka deklaruar Baraliu.

Sipas Baraliut, mënyra më e lehtë për të shkuar në zgjedhje të parakohshme do të ishte dorëheqja e kryeministrit Albin Kurti.

“Janë bërë disa punë e përpjekje e kjo Qeveri s’besoj që shkon në zgjedhje të parakohshme, nëse shkon gabon. Faktori i parë është historik, që e mbaron mandatin e parë, e janë disa punë të rëndësishme që i kanë mbetur në gjysmë e që mund të kryhen gjatë këtij viti”, ka thënë ai.