Arbëri

Baraliu: Bixhoz kanë luajtur tre liderët e shtetit, e para ka qenë presidentja

Mazllum Baraliu

Profesori i çështjeve juridike, Mazllum Baraliu, derisa ka komentuar deklaratën e presidentes Vjosa Osmani, lidhur me bixhoz me aleancat, ka thënë se bixhoz është luajtur nga tre liderët e shtetit, duke filluar nga vetë presidentja. 

Të enjten në “Interaktiv” të KTV-së, Baraliu ka thënë se “luajtja bixhoz” me interesat e vendit është fjali që konsiderohet “gozhdë në kulm të shtëpisë”.

Sipas tij, kjo frazë nuk do të duhej të përdorej nga presidentja, pasi ajo ka qenë e para prej krerëve institucionalë që e ka nënshkruar dokumentin zyrtar që kërkon anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës. 

“Sa i përket cështjeve të tjera kishte edhe mllef, edhe fraza të cilat ndoshta janë kontradiktore edhe me vetë qëndrimet jo vetëm të institucioneve të tjera, por edhe të vetë presidentes. P.sh., luajtja bixhoz me interesat e vendit është fjali që konsiderohet gozhdë në kulmin e shtëpisë. Pra, ajo që nuk do të duhej përdorur kjo fjali është për arsye se nëse flasim për bixhoz, bixhoz kanë luajtur tre përfaqësuesit e institucioneve të këtij vendi, e para presidentja, e cila ka shkruar dhe nënskruar një letër, dokument zyrtar që pastaj thotë se cdo gjë që kërkon Këshilli i Evropës dhe Bashkimi Evropian ne jemi në gjendje ta përmbushim vetëm që të pranohemi si anëtar të këtij këshilli, kjo do të thotë edhe Asociacionin, edhe marëvehsjen e Ohrit dhe Brukselit, të gjitha marrëveshjet nga 2013-a e këndej, të cilat pikërisht kjo presidente në situata të ndryshme politike, madje edhe në kundërshtim me qëndrimet e partisë së saj, i ka kundërshtuar me ngulm dhe atëherë ka bërë mirë”, ka thënë ai. 

Baraliu ka thënë se një deklaratë e tillë thumbuese është në dëm të interesit shtetëror. 

“Tani të thuash diçka që vetë ke qenë pjesë e saj, madje edhe duke heshtur, atëherë në fund të mandatit përvec se për qëllime të caktuara politike dhe të tjera, mund të ketë ndonjë konotacion shpjegimi i tillë, por jo edhe arsye dhe kuptim të mirëfilltë. Të deklarohet në këtë mënyrë kaq kategorike dhe kaq thumbuese mendoj se është edhe në dëm të interesit shtetëror sepse dikush po luante bixhoz me interesat e shtetit, e është strumbullari kryesor bashkë me dy të tjerë, atëherë diçka nuk shkon. Ndoshta përpiqet të justifikohet për veprimet e caktuara dhe t’i arsyetojë veprimet e ardhshme eventualisht orientimet politike dhe përcaktimet eventuale të vitit të ardhshëm”, ka thënë ai. 

Baraliu ka shtuar se Kosova do të duhej ta ruajë unitetin, duke i vënë interesat e shtetit si parësore. 

“Derisa nuk jemi të konsoliduar, sepse do të duhej të ishte edhe opozita sot aty, ne po dëshmojmë se jemi partikularë në veprime dhe në politika dhe se jemi të paunifikuar sa duhet. As në Rambuille, as në Vjenë, as me Planin e Ahtisaarit e as më vonë me standardet para statusit, e as tash, jemi të paunifikuar dhe kemi probleme serioze në unitet. Gjatë këtyre dy vjetëve të fundit janë ato shenjat e para të mospajtimeve dhe mendoj se këto janë ndikim i politikave të jashtme e eksponentëve të jashtëm që nuk kanë pushuar asnjëherë. Kjo i bie se fuqitë e mëdha... janë ata që po na detyrojnë që ne të bëjmë kompromise të dëmshme me pasoja fatale për shtetin dhe ardhmërinë e Kosovës”, është shprehur ai.  

Baraliu e tutje e ka quajtur gabim propozimin e presidentes Osmani për zbatim të njëanshëm të marrëveshjeve.