Arbëri

Banues i një komune, votues në tjetrën

Në Kosovë banimi në një komunë jo domosdo të bën edhe votues të asaj komune.

Aktualisht kosovarët e kanë mundësinë që të votojnë për udhëheqësin e komunave ku nuk janë banorë.

Kosova nuk ka një ligj që detyron qytetarët që me ndërrimin e vendbanimit të ndryshojnë edhe lejet e njoftimit.

Ndërkaq as Ligji për vendbanimin dhe vendqëndrimin, që është në fuqi nga viti 2007 dhe obligon qytetarët që ndryshimin e vendbanimit ta lajmërojnë në organet kompetente brenda 8 ditëve, nuk zbatohet sa duhet në praktikë.

E shumë qytetarë, përkundër që kanë ndryshuar vendbanimet, nuk i kanë ndërruar edhe lejet e njoftimit, gjë që ua siguron mundësinë e votimit në komunat prej nga janë zhvendosur për vite të tëra.

Përveç Prishtinës si kryeqytet, kjo dukuri është evidente në Komunën e Fushë-Kosovës.

“Vijmë prej rrethinës së Obiliqit, prej Sibovcit, unë votoj në Obiliq, ende se kemi kryer regjistrimin këtu”, tha Nazmi Gashi, banor i Fushë-Kosovës.

“Unë jam i komunës së Drenasit, kam jetuar në Obiliq, kam ardhur këtu që dy vite, votoj në Obiliq”, tha Selver Lladrovci, po ashtu banues në Fushë-Kosovë.

“Jam prej Podujevës, votoj në Podujevë, banoj nga viti i ri këtu, por nuk jam shpërngulur ende”, deklaron Fedrije Pervetica, që jeton në Fushë-Kosovë e voton në Podujevë.

Rastet e tilla, sipas Bekim Salihut të Instituti GAP, ka më së shumti në Prishtinë e Fushë-Kosovë.

“Kjo ndodh në Fushë-Kosovë, kjo ndodh edhe në Prishtinë, kryesisht pra janë këto dy komuna të cilat janë të prekura nga ky fenomen që një numër i konsiderueshëm i qytetarëve jetojnë në këto dy komuna, por në të njëjtën kohë nuk janë banorë si të thuash të përhershëm, por janë banorë të lëvizshëm. Si votues numërohen, ushtrojnë të drejtën e votës në ndonjë komunë tjetër”, tha Salihu.

Sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, të publikuara këtë vit, Fushë-Kosova ka afër 40 mijë banorë. Por bazuar në të dhënat e Komunës ky numër është dyfish më i lartë.

“Informacionet që ne posedojmë, që nuk janë zyrtare, përderisa nuk janë të regjistruara përmes Entit të Statistikave, ne i afrohemi diku mbi 70 mijë, afër 80 mijë banorë, 90 mijë banorë që i kemi në Komunën e Fushë-Kosovës dhe tash paramendoni, në këtë proporcion edhe buxheti do të ishte më i madh”, tregon zëdhënësi i komunës Ali Topalli.

Topalli ka thënë se kanë kërkuar nga institucionet qendrore që kjo të ndryshohet, por se asgjë nuk është ndërmarrë në këtë drejtim.

“Në këtë rast ne si Fushë Kosovë jemi të hendikepuar në këtë drejtim dhe do të ishte mirë që ky problem të rregullohej, sepse nëse gjithë ai fluks i qytetarëve vinë këtu për të jetuar dhe marrin shërbime në arsim, në shëndetësi, në komunali e të tjera dhe nuk janë votues tonë, sigurisht që kjo nuk është në rregull”, tha Topalli.

Por ndryshe mendon Bekim Salihu nga Instituti GAP. Sipas tij, banimi në një komunë ka kosto dhe se ajo kosto i faturohet asaj komune e rrjedhimisht ndikon edhe në zhvillimin e saj.

“Merret parasysh fakti që një qytetar jeton në një komunë edhe kërkon shërbime nga ajo komunë, por duhet të merret parasysh edhe fakti tjetër, që një qytetarë që jeton në një komunë ai shpenzon në atë komunë, e shpenzon pagën e tij, i shpenzon të hyrat e tij, rrjedhimisht nga kjo ndikon në zhvillimin e asaj komuna, pra ka efekte edhe pozitive, përveç një efekti që mund të konsiderohet negativ”, deklaroi Salihu.

Por sipas drejtorit të Statistikave Sociale në Agjencinë e Statistikave të Kosovës, Avni Kastrati, qytetarët do të duhej të votonin në komunën ku banojnë.

“Nuk do të duhej të ishte kështu. Me Ligjin që më duket që është në rishikim për ndërrimin e vendbanimit dhe vendqëndrimit, Ligj i vitit 2007, që është në proces të ndryshimit, edhe besoj që do të ketë me shumë rregulla, më shumë penallti, dënime për ata që nuk e ndërrojnë vendbanimin, sepse bazuar në atë ligj një person nëse më shumë se 8 ditë qëndron aty, duhet ta lajmërojë Bashkësinë, njësinë përkatëse aty”, thotë Kastrati.

Kastrati ka thënë se ky ligj nuk zbatohet në praktikë.

“Kjo është e rregulluar me ligj, mirëpo implementimi i tij në terren është shumë i pakët, përgjegjëse është Ministria e Punëve të Brendshme, që i merr ato të dhëna, po të ishte kjo në funksion ne do të kishim të dhëna për ndryshimet brenda 24 orëve”.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme, në kuadër të së cilës vepron Agjencia për Regjistrim Civil, nuk kanë kthyer përgjigje lidhur me këtë fenomen.

Bazuar në të dhënat e fundit të regjistrimit të popullsisë, që janë përditësuar këtë vit, Kosova ka 1 milion e 795 mijë e 367 dhe 1 milion e 885 mijë e 448.

Këto të dhëna tregojnë që Komuna e Prishtinës ka 216 mijë 870 banorë, ndërkohë që të dhënat e KQZ-së flasin për 185 mijë e 635 persona me të drejtë vote në këtë komunë.

Ndërsa Komuna e Fushë-Kosovës ka 39 mijë e 368 banorë dhe 37 mijë 817 persona me të drejtë vote.

Numri kaq i lartë i votuesve, krahasuar me numrin e përgjithshëm të popullsisë, kur kihet parasysh fakti që personat nën 18 vjet nuk kanë të drejtë vote, vjen si shkak i kosovarëve që jetojnë në diasporë, kanë të drejtë vote në Kosovë, por që nuk janë banorë rezidentë këtu.