Përmbytjet nga reshjet e mëdha të shiut kanë shkaktuar dëme të mëdha materiale në Komunën e Dragashit. Shumë familje dhe biznese në fshatin Kuk të kësaj komune janë mbuluar nga uji që ka depërtuar brenda objekteve. Komuna e Qeveria u kanë premtuar banorëve se do të kompensohen për dëmet. Këto fshatra të enjten i ka vizituar edhe kryeministri Albin Kurti
Bajram Ilijazit e familjarëve të tij, për t’u futur në shtëpinë e tyre të mërkurën mbrëma, iu deshën shkallët alternative.
Një ditë pas vërshimeve të mëdha në fshatin Kuk të Dragashit, uji është tërhequr nga shtëpia, por i ka shkaktuar dëme të mëdha Ilijazit.
Ai ka thënë se për pak kohë, pasuria e 25 vjetëve që ka krijuar i ka shkuar dëm për shkak të vërshimeve.
“Jam detyruar që dritaren lartë, me thye dhe përmes shkallëve fëmijët dhe prindërit me shkua në katin e dytë, për shkak të ujit në katin e parë, nuk kemi pasur mundësi me hy në shtëpi, për dy orë kemi mbetur në ujë, po që fatmirësisht askush nga familjarët nuk është lënduar, dëmet si në shtëpi, si në biznes janë të mëdha”, ka thënë të enjten Ilijazi.
Përveç Ilijazit, edhe banorë të tjerë të këtij fshati janë prekur nga vërshimet.
Kanë thënë se një gjë të tillë nuk e mbajnë mend të ketë ndodhur në këtë fshat.
“Hyrjen në shtëpi, por edhe në biznes e kemi pasur të pamundur, për shkak që hyrja është bllokuar komplet, shiu ka filluar nga ora 1 e ditës dhe deri në 7 në mbrëmje nuk janë ndalur, në momentin që kanë filluar rrëshqitjet e gurëve dhe dheut në lumë, është bllokuar qarkullimi i ujit dhe ku erdhi në gjendjen ku është tash, gjendje e tillë ka ndodhur për herë të parë”, ka thënë banori i fshatit Kuk, Lirim Metaj.
Për të parë nga afër demet e shkaktuara banorët e këtij fshati të Dragashit, të enjten i ka vizituar kryeministri Albin Kurti bashkë më ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, dhe kryetarin e Komunës, Bexhet Xheladini.
Kryetari Xheladini e kryeministri Kurti u kanë premtuar banorëve që pasi të bëhet vlerësimi i dëmeve, ata do të kompensohen.
“Kemi formuar komisionin për vlerësimin e dëmeve, kemi formuar edhe shtabin e krizës dhe ne do të vazhdojmë të punojmë dhe t’i vlerësojë dëmet dhe do të shohim që këto dëme a do të riparohen nga Qeveria e Kosovës, unë edhe kryeministrit i thashë që ne kemi nevojë për një ndihmë urgjente, e jo me pritë vendimin e komisioneve”, ka thënë Xheladini.
E kryeministri Kurti është shprehur se banorët e fshatit janë me fat, që askush nuk e ka humbur jetën nga kjo fatkeqësi.
“Në këtë fatkeqësi kemi pasë fat që nuk ka vdekur askush, e kemi parë më herët para disa javëve në Gjermani se pati viktima në njerëz, por këtu kemi pasur fat dhe më vjen mirë për këtë gjë, e tash me komisionin vlerësues duhet të shohim se sa mund të ndihmojmë e çka të riparojmë e rindërtojmë, sepse dëmet janë të mëdha nuk janë të korrigjueshme menjëherë e përnjëherë”, ka thënë Kurti.
Përveç fshatit Kuk, vërshime të mërkurën pati edhe në fshatrat Qollopek, Bresanë, Kosavë e Pllajnik të Komunës së Dragashit.
Përmes një njoftimi në rrjete sociale, Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka paralajmëruar se edhe ditëve në vazhdim pritet të ketë reshje shiu me intensitet të lartë.