Prej katër ditësh, është izoluar rajoni i Gorës në Shqipëri. Reshjet e dendura të shiut, që kanë përfshirë Shqipërinë në 3-4 katër ditët e fundit, kanë shkaktuar problemet e para në vend.
Shembja e urës së Shtrezës, në aksin rrugor Kukës-Shishtavec, ka izoluar banorët e Njësisë Administrative të Shishtavecit që përbëhet prej 7 fshatrave: Shishtavec, Novosej, Borje, Cërnalevë, Oreshkë, Kollovoz dhe Shtreze.
Ndërkohë që autoritetet përgjegjëse në Shqipëri nuk kanë marrë asnjë masë, përveç vendosjes së platformave të betonit nga sipërmarrësi i mirëmbajtjes së kësaj rruge në bashkëpunim me policinë, me qëllim parandalimin e ndonjë aksidenti për personat që mund të merrnin përsipër rrezikun për të kaluar në urë.
Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) bëri me dije se gjendja aktuale e urës rrezikon jetën e shoferëve që tentojnë të kalojnë me automjete mbi të dhe për pasojë qarkullimi është bllokuar. ARRSH-ja u ka kërkuar qytetarëve që të zgjedhin rrugë alternative, ku e vetmja është ajo përmes Kosovës.
Pra, njëherë të futen në Kosovë e më pas të vazhdojnë rrugën për në destinacion, diku në Shqipëri.
Për të udhëtuar për në Kukës dhe në pjesën tjetër të Shqipërisë, banorëve të këtyre fshatrave u duhet të përdorin rrugën Shishtavec-Krushevë-Dragash-Zhur-Morin-Kukës, rreth 80 kilometër e gjatë, ose 160 kilometër vajtje-ardhje.
“Ura e Shtrezës në aksin Kukës-Shishtavec ka pësuar shembje nga reshjet e shiut dhe gjendja aktuale rrezikon jetën e përdoruesve të mjeteve në këtë aks. Prandaj, qarkullimi në këtë pikë do të jetë i bllokuar dhe drejtuesit duhet të zgjedhin rrugën alternative. Autoriteti Rrugor Shqiptar po merr të gjitha masat për ndërhyrje emergjente dhe ndërtimin e një ure të re”, thuhet në njoftimin e ARRSH-së. “Për momentin po diskutohet hapja e një bypassi te rruga e vjetër, ndërkohë udhëtarët që duan të përdorin këtë aks, duhet të shfrytëzojnë pikën e kalimit kufitar Shishtavec-Krushevë për të lëvizur më pas në rrugën Krushevë-Dragash- Zhur-Morin-Kukës për të ardhur në qytet apo për të shkuar në Shishtavec”, tha për “KOHËN” sipërmarrësi i firmës “Marsi”, që mirëmban rrugën Kukës-Shishtavec, Ylber Elezi.
Aksi nacional Kukës-Shishtavec-Dogana (Krushevë) me gjatësi 35 km u rikonstruktua 5 vjet më parë, por problematikat kanë qenë të vazhdueshme edhe pas ndërhyrjes, sidomos rrëshqitja e gurëve e dherave. Ndërsa ura e Shtrezës që u shemb këtë të premte, nuk ka qenë pjesë e projektit të rikonstruksionit. Rruga Kukës-Shishtavec deri para një viti ka qenë në pronësi të Bashkisë së Kukësit dhe më pas i kaloi në varësi ARRSH-së, që lidhi kontratë me kompaninë e mirëmbajtjes “Marsi” sh.p.k. për pastrimin e rrugës nga bora gjatë dimrit dhe mirëmbajtjen rutinë të saj.
Në mbledhjen e mbajtur më 2 shkurt 2022, Këshilli i Ministrave i Republikës Shqipërisë ka miratuar ndryshimet e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, për hapjen e pikës së përbashkët të kalimit kufitar Shishtavec (Kukës) – Krushevë (Dragash). Marrëveshja e re u nënshkrua më 26 nëntor 2021 në Elbasan nga ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Bledi Çuçi, dhe ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla. Pika e përbashkët e kalimit kufitar Shishtavec (Kukës) – Krushevë (Dragash) pas miratimit të kësaj marrëveshjeje është një pikë e mirëfilltë e kalimit kufitar ku shërben edhe si pikë doganore dhe pa kufizime për shtetasit e ndryshëm që duan të lëvizin nga Shqipëria në Kosovë e anasjelltas.
Pikëkalimi kufitar Shishtavec- Krushevë dhe ai Orgjost-Orqushë në zonën e Gorës është hapur në tetor të vitit 2003, pas një Memorandumi Bashkëpunimi në mes të Qeverisë së Shqipërisë dhe UNMIK-ut, kurse ai Borje-Glloboçicë u hap në qershor të 2009-s pas një marrëveshjeje mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë.
Këto pika të kalimit kufitar kanë shërbyer vetëm për këmbësorët që janë banorë lokalë në të dyja anët e kufirit në një distancë prej 15 kilometrave nga vija kufitare. Dhjetë vjet më vonë, pikërisht më 16 prill të vitit 2013, në Tiranë, ministrat e Brendshëm të Kosovës dhe Shqipërisë nënshkruan marrëveshjen që pikat e kalimit kufitar Borje – Glloboçicë; Orgjost –Orqushë dhe Shishtavec – Krushevë, të funksionojnë si qendra të përbashkëta të bashkëpunimit policor. Konkretizimi i kësaj marrëveshjeje u arrit më 10 maj 2013, ku në pikëkalimin kufitar Shishtavec-Krushevë tashmë lejohej edhe qarkullimi i veturave. Ndërkohë që me fondet e Bashkimit Evropian me një vlerë prej 500 mijë eurosh, është bërë i mundur ndërtimi i rrugës nga Shishtaveci në Krushevë të Dragashit. Pika e kalimit të përbashkët Shishtavec-Krushevë është e vendosur në territorin e Shqipërisë në rajonin e piramidës D18. Aktiviteti i pikëkalimeve të përbashkëta kufitare bazohet në legjislacionin respektiv të të dyja vendeve, rekomandimet e BE-së, Kodin Schengen, si dhe në praktikat më të mira ndërkombëtare.
Marrëveshja e ndryshuar, e miratuar tashmë edhe nga Qeveria shqiptare, parashikon që në këto pikëkalime kufitare të lejohet edhe aktiviteti tregtar dhe doganor, si dhe kalimi i udhëtarëve do të jetë i pakufizuar.