Arbëri

Banorët e Rinasit përleshen me policinë, kundërshtojnë rrugën me një kah

Banorët e Rinasit, zonë ku ndodhet edhe aeroporti kryesor në Shqipëri, janë ngritur në protestë të hënën dhe kanë bllokuar aksin rrugor në drejtim të aeroportit.

Ata janë përleshur edhe me policinë pas vendimit nga Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) se qarkullimi drejt Aeroportit do të realizohej në një drejtim, nga Qafë Kashari në drejtim të rrethrrotullimit në aeroportin “Nënë Tereza”.

Për rreth 30 minuta banorët bllokuan rrugën tek Ura e Gjolës. Banorët ankohen se për 100 metra rrugë duhet të bëjnë 60 km, duke shkuar gati në Vlorë për t’u kthyer në shtëpitë e tyre.

Ata thanë se të gjithë kanë banorë të zonës dhe nuk do të dorëzohen derisa të merret vendimi që të bëhet sërish lëvizja në dy drejtime.

"Ky është shteti që na kanë sjellë për të na rrahur, për të na mbyllur në shtëpi. Për të blerë bukë, duhet t'i biem nga Vora. Nuk çojmë dot fëmijët në shkollë", tha njëri prej banorëve.

“Për 100 metra rrugë duhet të bëj 60 km, duhet të shkoj në Vorë, në kthesë të Kasharit e të kthehem”, tha një tjetër protestues.

Banorët e zonës së Rinasit, me vendim të ri të lëvizjes së automjeteve, duhet të shkojnë tek Ura e Gjolës, më pas te Fushë-Preza për të kaluar më pas te rrethrrotullimi i Vorës për të marrë aksin e autostradës.

Edhe mjetet që vijnë nga veriu i Shqipërisë dhe Kosova për në Rinas duhet të ndjekin lëvizjen Fushë Krujë – Vorë - Qafë Kashar - Aeroport.

Ndaj këtij vendimi ka reaguar tri ditë më parë, kryetari i Bashkisë së Shkodrës Bardh Spahia. Ai u bëri thirrje institucioneve të rishikojnë vendimin për devijimin e rrugës nacionale drejt aeroportit “Nënë Tereza” në Tiranë në drejtimin nga Shkodra.

Spahia shprehet se ky është një vendim i pamenduar që shkakton jo vetëm zgjatje të udhëtimit por edhe shtim të kostos financiare.

Image