Masat e marra nga Qeveria e Kosovës për t’u mbrojtur nga koronavirusi po vlejnë vetëm për banorët shqiptarë në veri të vendit.
Në katër komunat veriore të Kosovës gjithçka është duke u zhvilluar normalisht, raporton KOHA.
Të gjitha dyqanet e qendrat tregtare atje janë të hapura.
Banorët shqiptarë thonë se askush nga zyrtarët komunalë nuk i ka vizituar, përderisa shtojnë se kanë nevojë edhe për gjëra elementare, pasi që shumica nga ta janë me asistencë sociale.
Zëvendëskryesuesi i Kuvendit komunal të Mitrovicës Veriore, Bashkim Cimili, ka thënë se shqiptarët nuk janë duke e respektuar orën policore, por vetëm masat e Qeverisë së Kosovës.
E banorët e Kroit të Vitakut thonë se nuk presin ndihmë nga qeverisja lokale pasi, sipas tyre, ata nuk interesohen për ta as në këtë kohë, por thonë se shpresojnë që Qeveria e Kosovës të ndërmarrë ndonjë masë.
KOHA gjatë ditës ka pyetur edhe Qeverinë e Kosovës nëse do të ketë ndonjë veprim për mosrespektim të masave të institucioneve qendrore në veri, por zyrtarë të saj nuk kanë kthyer përgjigje.