Arbëri

Banorët në Pejë, tash e tre muaj presin sanimin e dy rrugëve

Ka tre muaj që janë futur gypat e rrjetit kryesor të kanalizimit në kuadër të projektit të ndërtimit të impiantit për trajtimin e ujërave të zeza, por qindra metra të dëmtuar në rrugën e transitit dhe në rrugën tjetër që lidhet me këtë transit, që në Pejë njihet si rruga e Loxhës, ende nuk janë sanuar dhe kthyer në gjendje të mëparshme, pavarësisht ankesave të shumta të banorëve që jetojnë përgjatë këtyre dy rrugëve.

KOHA ka kontaktuar disa prej banorëve, të cilët nuk pranuar të identifikohen, por treguan se disa herë janë ankuar në komunë për problemet që i kanë me rrugët ende të pasanuara.

“Kemi probleme qe tre muaj dhe këto probleme po vazhdojnë. Po na dëmtohen makinat prej gjendjes së rrugëve që janë. Këto janë të vetmet rrugë deri të shtëpitë tona se rrugë tjera nuk kemi për me i shfrytëzu”, është ankuar njëri prej banorëve.

E në komunë kanë konfirmuar se ka pas mjaftë ankesa të qytetarëve për gjendjen e atyre dy rrugëve.

“Ankesa të qytetarëve ka dhe nuk janë në gjendje të mirë dhe po pësojnë qytetarët e Pejës. Por sanimi dhe kthimi i rrugës në gjendjen e mëparshme nuk është kompetencë e komunës, por e operatorit dhe kompanisë së ujësjellësit ‘Hidrodrini’ që është mbikëqyrës i projektit. Edhe unë vetë kam qenë njëri prej ankuesve që të merren masa dhe i kam dërguar letër ‘Hidrodrinit’ si mbikëqyrës i projektit që është që të intervenohet sa më shpejtë në sanimin e rrugës”, tha drejtori i Financave, Jeton Abazaj.

E në “Hidrodrin” pranojnë se është zvarritur pak sanimi i atyre dy rrugëve dhe se kjo sipas drejtorit të kësaj kompanie, Agron Tigani, ka ndodhur shkaku i motit dhe pandemisë.

Pavarësisht gjendjes së qindra metrave të dëmtuar në të dy rrugët, Tigani kërkon nga qytetarët që të kenë pak durim, pasi është duke u realizuar projekti më i madh i pasluftës në Pejë.

“Shtresa e dytë e asfaltit është në plan të shtrohet sa të përmirësohet moti. Qytetarët e Pejës kanë përfituar shumë me këtë projekt se e mbrojmë ambientin, e mbrojmë lumin tonë të çmuar dhe apeloj te qytetarët që të kenë durim, se ai aks rrugor do të kthehet në gjendje të mëparshme gjatë muajit shkurt apo fillim të marsit. Besoj se do të kryhet”, tha Tigani.

Impiantit për trajtimin e ujërave të zeza, që ka një vlerë prej 22 milionë euro dhe është projekti më i madh në Pejën e pasluftës, pasi të futet në funksion, është paraparë të trajtojë ujërat e zeza të 65 për qind të territorit të kësaj komune që shtrihet në pjesën e rrafshit. Treva e Rugovës, që përbën gjysmën e territorit të kësaj komune nuk është e përfshirë në këtë projekt. Financues të këtij projekti janë qeveria gjermane me 9 milionë euro, qeveria zvicerane me 7.6 milionë euro, Komuna e Pejës me tre milionë euro dhe pjesa tjetër mbulohet nga Qeveria e Kosovës. Impianti është duke u ndërtuar rreth gjashtë kilometra jashtë qytetit, në zonën kadastrale të Gorazhdecit. Për realizmin e këtij projekti komuna ka shpronësuar rreth 30 prona private në sipërfaqe prej 11 hektarë për ndërtimin e impiantit dhe 2 hektarë tjerë për trasenë e vendosjes së gypave kryesor të ujërave të zeza.

Sipas drejtorit të “Hidrodrinit”, ky projekt pritet të përfundojë deri në fund të këtij viti ose më së largu deri në janar apo shkurt të vitit të ardhshëm.