Arbëri

Banorët në objektin e ish-“Feronikelit” i drejtohen inspektoratit në MMPHI për çështjen e ashensorit

Banorët në kompleksin e ish-ndërtesës së “Feronikelit” në sheshin “Adem Jashari” në Lipjan po vazhdojnë ta kundërshtojnë vendosjen e një ashensori përgjatë dhomave të gjumit nga një biznes privat pa pëlqimin e banorëve.

Ata përveç ankesave me peticione në komunë, tashmë i janë drejtuar edhe inspektoratit në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës me arsyetim se po degradohet prona e tyre, po prishet qetësia e banorëve dhe po cenohet e drejta e banorëve. Ditë më parë KOHA ka raportuar lidhur me këtë çështje.

Igballe Aliu, banore në këtë kompleks banesor, ka thënë se rreth kësaj çështje ka lajmëruar Komunën por edhe Policinë e Kosovës, mirëpo deri më tash nuk kanë marrë hapa konkret për parandalimin e punimeve në këtë biznes.

“Jemi detyruar t’i drejtohemi zyrtarisht edhe inspektoratit në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës me shpresë se ata do të dalin në terren dhe do t’i ndërprenë punimet e këtij biznesi. Këtu ka shkelje sepse komuna i ka dhënë pëlqim këtij biznesi për të punuar duke u bazuar në një deklaratë të një banori që nuk jeton në hyrjen tonë”, ka thënë Aliu.

Ndërkaq, në shkresën e banorëve dërguar inspektoratit në MMPHI, midis të tjerash thuhet se “ne banorët e hyrjes 21 në ndërtesën e ish-Feronikelit në sheshin “Adem Jashari”, në Lipjan në mënyrë kategorike kemi kundërshtuar pëlqimin e organit kompetent për kryerjen e punimeve, gjegjësisht vendosjen e ashensorit nga një biznes në muret e dhomave të gjumit ku ne banojmë”.

Ata kanë sqaruar se rreth kësaj çështje kanë dorëzuar kërkesë me peticion në komunë për anulimin e vendimit pasi që biznesi i kishte ofruar komunës pëlqimin e një banori që nuk jeton në këtë hyrje.

“Jo që nuk është ndërmarrë asgjë, por përkundër kësaj punimet nga biznesi janë zgjeruar në hapësirat e objektit të ish Feronikelit”, thuhet më tej në shkresë, duke shtuar se jetesa e banorëve nga pluhuri e zhurma mbi ndërtim të objektit është vështirësuar nga punimet e vazhdueshme të këtij biznesi.

{gallery}