Banorët e lagjes "Isa Olliri" në qendër të Lipjanit prej disa ditësh po ankohen se mbeturinat nuk po pastrohen nga Kompania Rajonale "Pastrimi".
Ndonëse, afër kontejnerëve në këtë lagje është krijuar një deponi e inerteve nga qytetarët të cilët i kanë rinovuar banesat e tyre.
Blerdon Zejnullahu, banor në afërsi të kësaj lagjeje ka thënë se mbeturinat kanë nisur të kundërmojnë.
"Nuk e di pse nuk po pastrohen këto mbeturina pasi ne jemi taksapagues të rregullt të faturave ndaj kompanisë. Ndërkaq, edhe qytetarët duhet të kenë kujdes që mos të krijojnë deponi të mbeturinave të ngurta afër kontejnerëve. Ne kërkojmë nga kompania që t'i pastrojë ato dhe të aktivizohet inspektorati për ndëshkimin e qytetarëve që hedhin mbeturina vend e pa vend", është ankuar ai.
Koha gjatë të shtunës dhe të dielës ka provuar të marrë një deklaratë nga drejtuesit e kompanisë "Pastrimi" në Lipjan, por nuk kanë qenë të qasshëm.
