Arbëri

Banorët në ish-objektin e “Feronikelit” sërish kërkojnë nga komuna largimin e një ashensori përgjatë dhomave të gjumit

Komuna e Lipjanit

Një pjesë e banorëve në ish-kompleksin e “Feronikelit” në Lipjan mëngjesin e së hënës i janë drejtuar edhe një herë komunës me arsyetim se një biznes privat i cili e ka privatizuar një pjesë objektit ka vendosur një ashensor përgjatë dhomave të tyre të gjumit pa pëlqimin e banorëve.

Kjo, sipas banorëve po ua prishë qetësinë familjare. Përveç kësaj, sipas banorëve ky biznes po ua dëmton edhe korridoret e banesave duke vendosur dyer të veçanta për hyrje dhe po ua dëmton edhe pjesën e epërme të pullazit. Madje banorët po ashtu janë ankuar se ky biznes ka vendosur edhe kamera të sigurisë pa pëlqimin e tyre duke i shkelur të drejtat e njeriut dhe ligjet tjera. Banorët gjatë ditës janë takuar me nënkryetarin në detyrë të Komunës së Lipjanit Fauz Xhemajli, i cili i është zotuar se së shpejti edhe inspektorati komunal do të dalë në vendin e ngjarjes për ta kryer punën e tyre profesionale. Rreth kësaj çështje banorët u janë drejtuar edhe MMPHI-së, por edhe institucioneve të tjera me peticione, por deri më tash nuk janë ndërprerë punimet megjithëse niveli qendror pati dhënë disa rekomandime për t’i ndërprerë punimet.

“Tashmë e dinë të gjithë se ky biznes ka marrë pëlqime nga banorë që nuk jetojnë në hyrjen tonë dhe e ka vendosur ashensorin, ndërkohë ka nisur të punoi edhe në korridore duke vendosur dyer të veçanta për objektin e vet të cilin e ka privatizuar. Ne një grup i banorëve u takuam me nënkryetarin e komunës dhe ua shpjeguam shqetësimet tona. Sipas nënkryetarit ky biznes i ka të ndaluara punimet nga niveli qendror por së shpejti edhe inspektorati i komunës do të merren me këtë rast. Sidoqoftë, ne kërkojmë që të merren masa urgjente sepse kemi pengesa të shumta nga ky biznes”, ka thënë Igballe Aliu, një nga banoret.

Po ashtu edhe banori tjetër Valdet Hyseni, ka thënë se në këtë hyrje jetojnë 12 familje, prandaj të gjithë po ankohen se si ky biznes po i shkel të drejtat e njeriut.

“Të gjithë e kemi nënshkruar peticionin dhe kemi kërkuar nga komuna të merren masa rreth kësaj çështje. Ne jemi të shqetësuar, prandaj ishim edhe në komunë sepse ne si banor nuk i kemi dhënë pëlqim për vendosjen e ashensorëve dhe as për hapjen e dyerve të objektit të tij kah hyrja jonë”, ka thënë Hyseni.

KOHA ka kontaktuar me nënkryetarin e komunës në detyrë, Fauz Xhemajli, i cili ka thënë se nëse pëlqimet për vendosjen e ashensorit janë dhënë nga banorët e tjerë atëherë ata duhet të identifikohen.

“Unë i sugjerova që t’i ndjekin rrugët ligjore, por edhe ua shpjegova se do të merret me urgjencë inspektorati komunal. Ne si komunë tashmë i kemi pranuar shqetësimet e banorëve të këtij objekti dhe së shpejti do të merren masa sipas ligjeve në fuqi”, ka thënë Xhemajli.

Kujtojmë se ditë më parë edhe Inspektorati i ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës i është përgjigjur kërkesës së banorëve që jetojnë në këtë kompleks banesor dhe ka konstatuar se punimet duhet të ndërpriten.

“Bazuar në dispozitat e ligjit për ndërtim 04/L-110 neni 14 dhe udhëzimit administrativ 08/2013, konstatohet se për realizimin e punimeve për ndërtimin e ashensorit dhe shkallëve kërkohet pajisje me leje ndërtimore, prandaj punimet nuk mund të realizohen bazuar në pëlqimin nr.8-351-38012 të datës 16.08.2021. Bazuar në konstatimet e lartcekura është urdhëruar inspektorati i Komunës së Lipjanit që menjëherë t’i ndaloj punimet dhe të urdhëroj investitorin që t’i drejtohet organit kompetent për t’u pajisur me leje ndërtimore”, thuhet midis të tjerash në përgjigjen e MMPHI-së dërguar banorëve.