Banorët e rrugës “Batalioni i tretë” në Gjonaj të Prizrenit po kërkojnë nga Komuna e Prizrenit që ta riparojë rrugën që është dëmtuar gjatë punimeve për shtrirjen e rrjetit të ujësjellësit. Sipas tyre, gjendja aktuale e rrugës po vështirëson qarkullimin me automjete. Zyrtarët komunalë pohojnë se rehabilitimi i rrugës do të realizohet pas përmbylljes së procedurave të prokurimit.
Dëmtimi i rrugës si pasojë e punimeve të realizuara vite më parë në sistemin e ujësjellësit po krijon telashe në qarkullimin me automjete për banorët e rrugës “Batalioni i tretë” në fshatin Gjonaj të Prizrenit.
Qytetarët e kësaj ane pohojnë se disa herë kanë kërkuar nga organet komunale që ta riparojnë rrugën e dëmtuar, porse një gjë e tillë nuk është realizuar deri tash.
“Asfaltimin, qysh e kanë filluar shtrimin e ujit do të thotë rrjetin e ri të ujit, nuk e kanë riparuar hiq, vetëm e kanë mbuluar ashtu e kanë lënë. Ne si banorë po mundohemi me tonën me e mbulu, po blejmë vet gurë e po e mbulojmë. Por nuk është zgjidhje, pa marrë masa institucionet pak, ne s'mund të bëjmë asgjë”, ka thënë Agron Cikaj.
“Kërkojmë me na e ndreq rrugën, kualitet, me na rregullu, jo me ardh me arnua e pas dy jave me u prish. Tash shyqyr i kemi institucionet tona duhet pak me na ofru njëfarë ndihme, njëfarë infrastrukture”, ka shtuar Kurtish Hodaj.
Zyrtarët komunalë kanë bërë të ditur se për këtë çështje procedura e prokurimit është iniciuar, dhe se sapo të përmbyllet do të nisë rehabilitimi i rrugëve në këtë fshat.
“Gjatë intervenimit normalisht që është bërë shkatërrimi i asaj infrastrukture rrugore, kështu që me të marrë informacionin si drejtori në kohën kur unë e udhëheqë këtë drejtori kemi hapur procedurat e tenderimit për të gjitha rrugët, të cilat janë të dëmtuara, të riparohen, faktikisht të asfaltohen. Kështu që është në procedurë tenderimi, presim shumë shpejtë të përfundojë edhe kjo procedurë, dhe të fillojmë me rehabilitimin e të gjitha rrugëve në fshatin Gjonaj”, ka thënë Çelë Lamaj, drejtor i Shërbimeve Publike.
Komuna e Prizrenit në maj të vitit 2019 pati nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me MMPH-në për projektin e ndërtimit të ujësjellësit në fshatin Gjonaj, ku sistemi i rinovuar ishte përuruar në dhjetor të vitit 2020.