Arbëri

Banorët në Bajçinë ankohen për dëmet nga rryma e dobët

Banorë të fshatit Bajçinë në Podujevë ankohen se prej kohësh përballen me telashin e furnizimit të rrymës me tension të ulët. Për pasojë, ata thonë se në vazhdimësi u dëmtohen pajisjet shtëpiake. Për zgjidhjen e problemit, ata kanë adresuar kërkesa të shumta te institucionet kompetente, e në KEDS thanë se aktualisht nuk planifikojnë të investojnë në këtë fshat

Bisedat mes banorëve të fshatit Bajçinë në Podujevë nisin dhe mbarojnë për shqetësimin e njëjtë që kanë – rrymën e dobët.

Ata ankohen se shkaku i këtij problemi, në vazhdimësi u janë dëmtuar pajisjet shtëpiake, me kosto për buxhetin familjar.

Banori Xhevat Shala thotë se ai dhe bashkëfshatarët e tjerë janë detyruar t’i blejnë nga disa herë të njëjtat pajisje shtëpiake, që ua ka dëmtuar rryma.

“Në i ka dëmtuar pajisjet e të gjitha shtëpive. Ne i ka dëmtuar televizorët... Të gjitha pajisjet elektrike na i ka dëmtuar shumë herë. Edhe shtrenjtimet që po bëhen, ne jemi goxha në një situatë të vështirë. Të gjithë jemi thuajse pensionistë. Kah me i marrë ne paratë e me pagu gjithë atë rrymë, plus që jemi pa të. Me rrymë, po pa rrymë”, ka thënë Shala.

Edhe bashkëfshatari i tij, Bajram Shala, ka shprehur brengën e njëjtë.

“E bleva televizorin e ri, 350 euro e kam marrë. Për një muaj e ka djegë. I ka djegë makinën e larjes së teshave... të gjitha mjetet çka i kam pasur i ka djegë”, ka thënë ai. “Rrymën muaj për muaj e paguaj. Paratë me i marrë e mos me ardhë me e shiku gjendjen, me e forcu rrymën, a paret muaj për muaj i marrin”.

E banori Rrahman Shala është ankuar se me gjithë ankesat e bëra, kanë munguar veprimet për përmirësimin e situatës.

“Këto shtylla janë të gjitha të vjetra, para lufte. Kemi bërë kërkesa edhe për shtylla, edhe për rrymë, edhe për trafo mirëpo nuk po na përgjigjen”, ka thënë ai.

I pyetur lidhur me çështjen, zëdhënësi i KEDS-it, Lulzim Krasniqi, tha se aktualisht nuk parashihet investim në këtë fshat.

“Aktualisht, në Bajçinë të Podujevës nuk parashihet ndonjë plan investiv. Megjithatë, KEDS-i do të vazhdojë ta mirëmbajë rrjetin elektrik shpërndarës aty, kurdo që është e nevojshme, deri në implementimin e një projekti investiv, i cili paraprakisht duhet të aprovohet nga ZRRE-ja”, ka thënë Krasniqi.

Telashe me tension të ulët të rrymës ka edhe në fshatrat Jezerc, Nerodime, Balaj e Manastirc, e për të cilat Krasniqi paralajmëroi investime brenda vitit.

“Plani investiv njëvjeçar për vitin 2025 është dërguar në ZRRE dhe jemi në pritje të aprovimit. Në fshatrat Dobrosh, Pacaj, Kallavaj dhe në një pjesë të madhe të zonës së Gjakovës po investohet në rrjetin e tensionit të mesëm, dhe është planifikuar konvertimi në nivelin 20kV”, ka thënë ai.

Që nga viti 2013, kur KEDS-i e nisi operimin, kompania ka pasur për obligim të investojë deri në 300 milionë euro në rrjetin elektrik shpërndarës për një periudhë 15-vjeçare. Sipas KEDS-it, deri më 2024, janë investuar mbi 278 milionë euro.