Arbëri

Banorët ndihen të rrezikuar nga ndërtimi i një pike karburanti në “Veternik”

Banorët e lagjes “Veternik” janë të shqetësuar se në afërsi të shtëpive të tyre mund të ndërtohet një pikë karburanti, dhe për këtë ata kanë dorëzuar peticion. Nga institucionet përgjegjëse nuk kanë treguar nëse është dhënë leja e ndërtimit. Sipas ligjeve në fuqi, nuk përcaktohet distanca që pikat e karburantit duhet të kenë me hapësirat e banuara

Në afërsi të shtëpive banorët e rrugës “Dajti” në “Veternik” po presin t’u ndërtohet një pikë karburanti. Ata kanë marrë vesh se toka pranë shtëpive të tyre është shitur pikërisht për këtë qëllim.

“Kemi dëgjuar që po hapen pompa, kemi pa njerëzit që po vijnë me punu, i kemi pyet për çka, kanë thënë që për pompë të benzinit”, tregon Sali Muriqi, banor i lagjes.

Ai shton se shtëpitë i kanë shumë afër hapësirës ku pretendojnë që do të ndërtohet kjo pikë karburanti. Andaj kanë bërë një peticion për të kundërshtuar një gjë të tillë. “Rrezikshmëria është shumë e madhe, të gjithë banorët e lagjes e kemi nënshkruar këtë peticion për ta dërguar në komunë”, thotë Muriqi.

Valon Hyseni, që po ashtu banon në rrugën “Dajti” në “Veternik”, thotë se ndihet i rrezikuar për shkak të afërsisë me pikën e karburantit që pritet të ndërtohet. “Rrezikshmëria do të jetë shumë e lartë për arsye se vendi ku do të ndërtohet është shumë afër shtëpisë. Unë besoj që do ta pamundësojë zhvillimin normal të jetës për banorët e lagjes për arsye të shpërthimit, për arsye të zhurmës”, shton Hyseni.

Afërsia e ndërtimit të një pike karburanti me vendbanimet nuk është e paraparë me Ligjin për ndërtim. Por kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani, ka sqaruar procedurat e ndërtimit të një pike të karburanteve.

“Pikat e karburantit aplikojnë në komunë për leje ndërtimi. Pasi që të ndërtohet aplikojnë në Ministri të Tregtisë dhe Industrisë për licencë shitjeje me pakicë. Ku ndërtohen pikat e karburantit përgjegjësinë e ka komuna pasi që e lëshon lejen e ndërtimit dhe gjithashtu përgjegjësi ka edhe MTI-ja, sepse e lëshon licencën.”

Ligji për ndërtim e bën Komunën e Prishtinës përgjegjëse për lëshimin e lejeve për të gjitha ndërtimet në territorin e saj. Që nga 1 dhjetori kur KOHA ka dërguar pyetje në adresë të Komunës së Prishtinës, nuk ka marrë përgjigje nëse kanë lëshuar ose jo leje për ndërtimin e një pikë karburanti në atë zonë.

Krahas Komunës, sipas të njëjtit ligj, përgjegjësia për dhënien e lejes bie edhe mbi Ministrinë e Planifikimit Hapësinor. Nga kjo ministri nuk kanë treguar nëse dikush ka aplikuar për leje të ndërtimit të një pike karburanti në “Veternik”, por thonë që “stacionet e karburanteve të gazit (GLN) me kapacitet mbi 5 metra kub, si dhe stacionet e karburanteve me kapacitet mbi 50 metra kub u nënshtrohen procedurave për t’u pajisur me pëlqim mjedisor”.

Ndërkaq, sipas Ligjit për Mbrojtjen nga Zjarri, Ministria e Punëve të Brendshme duhet po ashtu të japë leje për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e një objekti të tillë. “Kushtet e posaçme të ndërtimit, në kuptim të përcaktimit të kushteve të rregullimit hapësinor, me qëllim të mbrojtjes nga zjarri, i përcakton Ministria-Agjencia”, thuhet në nenin 11 të këtij ligji.

Mirëpo, as kjo ministri nuk është përgjigjur në pyetjet nëse ka pasur aplikues për leje ndërtimi në atë zonë dhe rrezikut që mund të shkaktojë për shkak të afërsisë me vendbanimin.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë lëshon licencë për shitje të karburanteve. Mirëpo KOHËS nuk i ka treguar nëse dikush ka aplikuar për licencim gjatë kësaj kohe. Asnjë prej këtyre ligjeve nuk e specifikon distancën që duhet të ketë një pikë karburanti nga vendbanimet. Madje këtë nuk e qartëson as Udhëzimi Administrativ për kushtet teknike për import, deponim, shitje me shumicë, shitje me pakicë të karburanteve të naftës dhe pastrim të rezervuarve, me të cilin përcaktohen kushtet që duhen të plotësojnë objektet që shfrytëzohen për këtë qëllim.

Në kryeqytet janë të ndërtuar një numër i konsiderueshëm i pikave të karburantit pranë hapësirave të banuara.