Banorët e rrugës “Vëllezërit Gërvalla” në lagjen “Bregu i Diellit”, protestuan për heqjen e laurës nga rruga e tyre, si dhe për ta “çliruar” parkingun që sipas tyre, është publik, dhe u takon banorëve të lagjes. Ata thanë se vendosja e kësaj laure po bëhet pengesë për zhvillimin normal të jetesës në këtë pjesë. Aty u kërkua ndërmarrja e masave sa më të shpejta për largimin e laurës nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.
Banorë të rrugës “Vëllezërit Gërvalla” në lagjen “Bregu i diellit”, të dielën u mblodhën sërish për të protestuar në shenjë pakënaqësie për vendosjen, dhe moslargimin e laurës nga Komuna e Prishtinës.
Ata u shprehën se këto veprime të shoqërisë aksionare “Prishtina Parking” bashkë me Komunën e Prishtinës, po ua vështirësojnë jetën e përditshme.
Besim Gashi dhe Isuf Alaj kanë thënë se mosintervenimi i Komunës së Prishtinës, edhe pas premtimit të kryetarit Rama, ka sjellë probleme të shumta në lagjen e tyre.
“Kemi dy kërkesa, kërkesa e parë e jona është për ta larguar laurën nga rruga që është pengesë jashtëzakonisht e madhe për lagjen, edhe kërkesa e dytë është që të na lënë të lirë ne shtëpinë tonë, do të thotë për menaxhimin e parkingjeve kujdesemi vetë ne, nuk ka nevojë as Parking Prishtina as kurrkush me u kujdes”, ka thënë Gashi.
“Nuk e kanë dertin a kanë njerëzit bukë për të ngrënë, a ka të sëmurë, si do të vjen ndihma e shpejtë deri te ne, prej atje në mbrëmje deri poshtë nuk munden me qarkullu, është pengesë, në rrugë kryesore nuk vihet laura”, ka thënë Alaj.
E banori tjetër i lagjes, Shpend Krasniqi, e ka cilësuar veprimin e Komunës dhe të Prishtina Parkingut si “jolegjitim”.
“Ne i kemi edhe nënshkrimet që 95% të banorëve të lagjes janë kundër këtyre veprimeve të tyre, nuk munden të veprojnë ata kundër interesave të lagjes, se ne thjeshtë paguajmë tatim, paguajmë tatim për pronat e tona. Kështu që nëse nuk ndërmerret diçka prej tyre, atëherë unë shumë dyshoj që banoret veç kanë më marrë masa edhe më radikale”, ka thënë Krasniqi.
Edhe kryeshefi ekzekutiv i “Prishtina Parkingut”, Sokol Havolli, ka thënë për KOHËN se edhe ai është për largimin e laurës, duke mos dhënë më shumë detaje me arsyetimin se është në pushim.
Banorët kanë thënë se do t’i drejtohen edhe një herë kryetarit Përparim Rama, duke i dhënë ultimatum që laura të largohet brenda 15-20 ditëve. Nëse kjo nuk ndodh brenda kësaj kohe, ata kanë thënë se një gjë të tillë do ta bëjnë vetë.