Dëmtime të shumta ka pësuar rruga që lidh Pejën me Kuqishtën.
Si e tillë, ajo është bërë vështirë e kalueshme për banorët dhe vizitorët e asaj treve.
Operatori për mirëmbajtje verore dhe dimërore tashmë është kontraktuar dhe javën tjetër pritet të nisë sanimi i saj.
Mirëpo, siç i tha KOHËS pronari i kompanisë së kontraktuar, me të e ka të kufizuar sasinë e punës në mirëmbajtje të rrugës.
Sipas Jahir Likës, me kontratë parashihen vetëm mbushja e gropave, pastrimi rrugës dhe heqja e barit anash rrugës, por jo edhe asfaltimi i saj.
“Asfalt për me shtru shtresë komplet, domethënë diku për një kilometër e diçka, nuk ka më shumë të parapame”, ka thënë Jahir Lika, pronar i operatorit “Lika Trade”.
Rugovasit e konsiderojnë të papranueshme një gjë të tillë.
Përfaqësuesi i kësaj treve, Agron Nikçi, thotë se ajo duhet komplet të rindërtohet, teksa kërkon nga Qeveria që të merret seriozisht me këtë rrugë.
“Duke i ditë kapacitet e shtetit tonë, është mundësia që t’i hyhet për njëmend, një herë për njëmend kësaj grykës së Rugovës, si kanjon turistik, të intervenohet për njëmend, sepse këto gropa po mshelen, pas një muaji çelen, vazhdojnë gjashtë muaj i mshelin apet dhe asgjë”, ka thënë ai.
E në Departamentin e Menaxhimit të Rrugëve në Ministrinë e Infrastrukturës pohojnë se do të intervenohet në atë rrugë ashtu siç kërkojnë rugovasit, por vetëm vit pas viti.
“Ka me fillu sivjet me një buxhet të limituar me u bë disa punë bazike në të për punë të përforcimit të trupit të rrugës një herë edhe me vazhdu në vitet tjera pastaj”, ka thënë Malë Lokaj nga Departamenti i Menaxhimit të Rrugëve në MI.
Rruga Pejë-Kuqishtë është asfaltuar në vitin 2004 vetëm me një projekt ideor e me mangësi të mëdha, i cili ka qenë burim i të gjitha problemeve të shfaqura në këtë rrugë në vitet në vijim.