Në katër ndërrime po zhvillohet mësimi në shkollën “Xhemajl Kada” në Pejë.
Kjo shkollë, me mbi 1 mijë e 400 nxënës, është e vetmja që e kanë tri lagjet e mëdha të Pejës, “Xhemajl Kada”, “7 Shtatori” dhe “Fidanishte”.
Shkaku i pandemisë dhe numrit të madh të nxënësve, të gjitha klasat, kryesisht me mbi 30 nxënës, janë ndarë në dy grupe.
Drejtori i saj, Sylë Peli, e sheh të domosdoshëm pakësimin e numrit të nxënësve nëpër paralele.
“Në qoftë se jepet mundësia për një shkollë tjetër, me siguri kjo shkollë kish mu shkarkua më tepër, edhe kishim bërë punë ndoshta edhe më të madhe, sepse është pak tepër e stërngarkume për nga numri i nxënësve” , ka thënë Peli.
Kërkesat e banorëve të këtyre lagjeve për ndërtimin edhe të një shkolle kanë qenë të vazhdueshme. Por, shkolla nuk ishte ndërtuar në mungesë të një lokacioni.
Në vitin 2018, Komuna kishte marrë vendim në pajtim me komunitetin që shkolla të ndërtohet në hapësirën afër shkollës së mesme ekonomike “Ali Hadri”. Por, Agjencia Kosovare e Privatizimit ia kishte ndaluar Komunës këtë projekt, shkaku që aty dolën dy ngastra pronë shoqërore, e të cilat me një vendim të Qeverisë në shtatorin e 2018-tës ishin tërhequr nga procesi i privatizimit.
Vetëm para dy muajve, siç është bërë e ditur nga Komuna, AKP-ja ia ka bartur në pronësi këto dy ngastra.
“Për me ia kthy ato prona Komunës ia kemi bërë kërkesën dhe ato janë aprovuar. Tash me gjasë shumë shpejt do të fillojnë edhe punimet”, ka thënë Arianit Krasniqi, drejtor komunal për Çështje Pronësore Juridike.
Ndërtimi i shkollës, që financohet nga Ministria e Arsimit, siç tha drejtori i Arsimit, Besim Avdimetaj, do të nisë sivjet dhe do të përfundojë vitin e ardhshëm.
“Me ndërtimin e kësaj shkolle do të zbritet numri i nxënësve që është në shkollën “Xhemajl Kada” dhe shkollat do të kenë hapësirë të mjaftueshme për zhvillim të mësimit në një ndërrim”, ka thënë ai.
Afër shkollës do të ndërtohet edhe një çerdhe dhe aty do të krijohet kompleksi i institucionit parashkollor, fillor dhe të mesëm.