Gjendet në pjesën periferike të Prishtinës. Megjithëse ka mbi 1000 familje, kjo lagje nuk ka një bashkësi lokale ku të merren shërbimet komunale.
Në këtë mënyrë, ata detyrohen të shkojnë deri në komunë edhe për paraqitjen e kërkesave të lagjes.
Përfaqësuesi i kësaj lagjeje, Driton Mullarama, thotë se ka 10 vjet që banorët kërkojnë hapjen e një bashkësie lokale, si ndihmesë për të shtyrë kërkesat e tyre përpara dhe nevojat elementare të lagjes.
“Kërkoj nga komuna, ku kemi bërë kërkesa të njëpasnjëshme qe 10 vjet prej që kemi krijuar bordin e lagjes për krijimin e bashkësisë lokale, sepse ai është vendi ku i shtyjmë kërkesat dhe nevojat elementare të lagjes”, ka thënë Mullarama.
Përfaqësuesi i kësaj lagjeje, Driton Mullarama, thotë se ata janë neglizhuar nga komuna.
“Duhet të shkojmë direkt në komunë, sepse është bërë një neglizhencë, jemi të përfshirë në bashkësinë lokale në Ulpianë jemi të përfshirë gjithë ne dhe është një stërngarkim, jo një mënyrë praktike, ku mund të aplikohen kërkesat. Ne përfshihemi këtu. Është më se e domosdoshme, si taksapagues, e meritojmë të kemi një bashkësi lokale”, ka thënë tutje ai.
Një bashkësi lokale në këtë vend, sipas komunës, pritet të hapet shumë shpejt.
Kështu thanë përfaqësuesit e Komunës së Prishtinës, në hapjen e një pike të njëjtë në lagjen “Tophane”, duke theksuar se bashkësitë lokale do të hapen në të gjitha vendet ku ka mungesë të tyre.
“Sot është edhe një ditë e mirë për lagjen Tophane ku e rihapëm bashkësinë lokale që ka qenë e mbyllur për një kohë të gjatë, kjo është në proces të asaj të jemi në shërbim të qytetarëve dhe ata të marrin shërbimet në lagjen ku jetojnë. Edhe në Busi e kemi bërë hapjen tjetër dhe kështu me radhë do t’i hapim bashkësitë lokale edhe në vendet tjera ku nuk ka, ashtu siç kemi premtuar”, qe shprehur kryetari Përparim Rama.
“Shumë shpejt do të hapet edhe bashkësia lokale në Mramor, jemi në bisedim me kabinetin dhe kryetarin që të hapim edhe një në lagjen ‘Qëndresa’ dhe një në ‘Veternik’, ku shpresojmë që qytetarëve t’u ofrojmë shërbime sa më të mira dhe njëkohësisht të kenë qasje më të lehtë në komunë, që të mos kenë nevojë qytetarët të vijnë deri në qendër këtu për një dokument që mund ta nxjerrin këtu”, ka thënë drejtori i Administratës, Bersan Beka.
Sipas tyre, shumë shpejt pritet të rifunksionalizohen edhe e-kioskat, ku edhe bashkësitë lokale do të pajisjen me këto aparatura.