Arbëri

Banorët e Shipitullës kërkojnë që shteti t’ua blejë edhe shtëpitë me oborre

Me anë të protestës para Ministrisë së Mjedisit, banorë të Shipitullës janë ankuar se procesi i shpronësimeve në këtë fshat ka shkatërruar ekonomitë e tyre bujqësore. Për këtë shkak, ata kanë kërkuar që krahas arave dhe tokave të punueshme, shteti t’ua blejë edhe shtëpitë dhe oborret për ta shpronësuar të gjithë fshatin, ku po bëhet mihja e thëngjillit për nevoja të KEK-ut

Banorë të fshatit Shipitullë në Obiliq, protestuan të martën para objektit të Ministrisë së Mjedisit, me kërkesë që t’u shpronësohen pronat e mbetura, afër vendit ku po bëhet mihja e thëngjillit për nevojat e Korporatës Energjetike.

Ata janë ankuar se shpronësimi ua ka shkatërruar ekonomitë bujqësore, pasi në kuadër të procesit u janë marrë të gjitha arat dhe kopshtet e punueshme, ndërsa u janë lënë vetëm oborret e shtëpive.

Banori Arsim Mjeku ka theksuar se planin për ndërtimin e një ferme në fshat nuk mundi ta realizojë sherri i shpronësimeve.

“Ka pasur të ndërtohet një fermë e pulave, diku rreth 25 mijë pula dhe diku rreth 20 mijë qura, që për atë projekt kam qenë unë vetë që kam pasur ta bëj, por nuk më është mundësuar. Në vitin 2017 kam shkuar të bisedoj me kryetarin Xhafer Gashi dhe më ka thënë, sa u përket letrave, ne t’i japim, por nuk e lejon Ministria, sepse do të shpronësohet fshati Shipitullë deri në vitin 2024. Tash i kanë marrë të gjitha tokat dhe i kanë lënë shtëpitë me nga 3 ari, 5 ari, 2 ari”, ka thënë Mjeku.

E Musli Mjeku ka deklaruar se procesi i shpronësimeve e ka detyruar që të mos merret më me blegtori.

“Unë mund të them si agronom, se deri tash në fshat kanë qenë mbi 150 frymë bagëti, sot nuk është asnjë. Arsyet po shihen në bazë të kësaj: prej vitit 2004 është marrë vendim që në fshatin Shipitullë nuk lejohet të ndërtohet. Unë i kam 6 fëmijë, nuk mund t’i mbaj, si t’ia bëj?”, është shprehur banori i Shipitullës, Musli Mjeku.

Sadije Mjekiqi, avokate e angazhuar nga banorët e Shipitullës, ka theksuar se bazuar në ligjet në fuqi, shteti është i obliguar që banorëve t’ua blejë edhe pronat e mbetura.

“Ligji për Shpronësime thotë, në qoftë se një personi i shpronësohet një pjesë e pasurisë dhe me rastin e asaj pjese që po shpronësohet, dëmtohet rëndë dhe esencialisht pjesa e mbetur dhe e pashpronësuar, qytetari ka të drejtë të kërkojë nga organet shtetërore, në këtë rast nga Ministra e Mjedisit, ju lutem të ma shpronësoni edhe pjesën e mbetur, sepse asgjë tjetër nuk na ka mbetur nga jeta jonë që e kemi bërë me bujqësi”, ka thënë avokatja Mjekiqi.

KOHA i ka adresuar pyetje Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës lidhur me ankesat e banorëve, porse gjatë së martës nuk ka marrë përgjigje.