Arbëri

Banorët e Rubovcit përballen me vërshime sa herë që ka të reshura intensive shiu

Gjatë mbrëmjes të së mërkurës, banorët e fshatit Rubovc të Lipjanit janë përballur me vërshime. Ata kanë thënë se përmbytja që shkaktohet, është pasojë e mungesës së intervenimit në rregullimin e shtratit të lumit Sitnica dhe urën mbi të

Halim Bellaina i druhet secilit paralajmërim për reshje. Ky banor i fshatit Rubovc të Lipjanit e di se kur intensiteti i tyre rritet, sikurse që ka ndodhur në mbrëmjen e së mërkurës, shtëpia e tij do të përmbytet nga uji dhe se do t’i shkaktohen dëme edhe në të mbjella.

“Sa herë që kemi të reshura, uji futet edhe nëpër shtëpia. Për të mbjella nuk diskutohet. Këtu gjithsesi duhet të zgjerohet kjo urë. Kryetari i Komunës para dy vjetësh ka qenë këtu së bashku me ekipin e vet dhe na ka premtuar se do ta rregullojnë, por qe dy vjet nuk ka asgjë”, ka thënë ai.

Banorët e fshatit Rubovc prej vjetësh po përballen me vërshime. Ata kanë adresuar kërkesa dhe peticione në Komunë për rregullimin e shtratit të lumit Sitnica dhe për ndërtimin e një ure, e cila nuk po e përcjell nivelin e madh të ujit.

Banorët kanë treguar se gjatë gjithë natës së të mërkurës janë përballur me vërshime dhe se ujërat kanë depërtuar edhe në shtëpi dhe në oborre, ndërsa e kanë dëmtuar edhe rrugën.

“Dje kemi thirrur vazhdimisht dhe nuk e ka hapur telefonin askush, andaj kisha dashur vetëm një pyetje kryetarit të Komunës, a ekziston fshati Rubovc në Komunën e Lipjanit, sepse ai absolut nuk po merret me neve. Nëse nuk bëhet një intervenim i shpejtë, ne do të kemi shumë shpejt pasoja”, ka thënë Jeton Bellaina, banor i fshatit.

E Bashkim Budakova, i cili është asamblist i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka kërkuar që me urgjencë të rregullohet ura dhe që të pastrohet lumi.

“Këtë kërkesë dhe shqetësim të banorëve e kam ngritur edhe në seancën e fundit të Kuvendit Komunal, mirëpo për ekzekutivin, këta banorë janë të nevojshëm vetëm gjatë fushatës zgjedhore dhe çdo 4 vjet kur kanë nevojë për votat e tyre”, ka thënë ai.

Në Komunën e Lipjanit kanë thënë se ankesa lidhur me urën e fshatit është shqyrtuar dhe se ajo është përfshirë në planifikime.

Avni Jashari, shef i kabinetit të kryetarit të Komunës, ka premtuar se shumë shpejt do të fillojë ndërtimi i kësaj ure dhe i disa urave të tjera, të cilat nuk kanë mundur të rregullohen si pasojë e mungesës së buxhetit.

“Komuna e Lipjanit është në fazën e planifikimit të ndërtimit të disa urave nëpër disa fshatra e vendbanime në Lipjan. Ne kemi pranuar peticionin dhe kërkesën e këtyre qytetarëve, e cila është shqyrtuar dhe e njëjta është futur në planifikim. Tani jemi duke i shqyrtuar mundësitë buxhetore dhe besoj që shumë shpejt do të fillojë ndërtimi i këtyre urave nëpër lokacione”, ka thënë Jashari.​

Banorët kanë paralajmëruar se në ditët në vazhdim do të protestojnë para objektit të Komunës së Lipjanit.