Janë bërë 25 vjet që nga masakra e 98 djemve e burrave në Rezallë të Skenderajt. Në shënimin e këtij përvjetori, banorët e fshatit thonë se i kanë ende të freskëta kujtimet nga tmerri që përjetuan, teksa theksuan se vuajtjet dhe mërzia u shtohen sa herë që në Serbi i mohojnë krimet e kryera në Kosovë
Mëngjesi i 5 prillit i 1999-s e gjeti fshatin Rezallë të Komunës së Skenderajt të rrethuar nga të gjitha anët prej forcave serbe, që në mënyrë mizore vranë e masakruan 98 djem e burra, e më pas ua fshehën kufomat.
Mbetjet e 29 prej tyre u gjetën në varrezën masive në Rudnicë të Rashkës në Serbi më 2013, e në shtatorin e 2021-tës, nga Kizhevaku i Serbisë në Kosovë u kthyen eshtrat e edhe shtatë të vrarëve të tjerë.
25 vjet pas masakrës, banorë të Rezallës i kanë ende të freskëta kujtimet për përjetimet e asaj kohe.
“I kanë ndezur disa traktorë kur kanë dashur t’i vrasin se kanë bërë zhurmë dhe ka ardhur serbi, një gjeneral Dikoviq, ai ka dhënë urdhër me i vra. Ia lëshuan rafall dhe i ka vra, pastaj ka shkuar me revole i ka vra me radhë një nga një, tre kanë shpëtuar”, ka deklaruar Veli Aruqi, banor i Rezallës.
Tek e kujton ngjarjen, banori Hamdi Aliu thotë se plaga për humbjet po i përsëritet sa herë që Serbia i mohon krimet e luftës të kryera në Kosovë.
“Këtu askush nuk është dënuar, me keqardhje Vuqiqi paraqitet në sy të Evropës dhe të ndërkombëtarëve, e krimin e Rezallës ai me sytë e vetë e ka parë në Rudnicë e Kizhnevac, duke u tërhequr trupat që janë bartur nga forcat paramilitare serbe të cilët kanë qenë nën udhëheqjen e tij dhe të Milloshit... Lotët ne i kemi të patharë e sot me të njëjtën dhimbje me ata lot para 25 vjetësh ashtu i kemi të njëjtë, por ata lot po na i përsërit Vuçiqi, sepse po e mohon krimin”, ka thënë Aliu.
Kushtrim Gara, udhëheqës i njësisë për persona të zhdukur, bëri të ditur se edhe 1 mijë e 600 persona mbesin të pagjetur që nga lufta në Kosovë, në mesin e tyre tre janë nga Rezalla. Ai kujtoi se mbi varrezën masive në Rudnicë të Rashkës, më 2013 është ndërtuar një objekt e një parking, me qëllim të fshehjes së gjurmëve të krimeve serbe të luftës.
“Ushtria jugosllave kthehet në vendin e krimit dhe zhvarros kufomat e 36 viktimave në përpjekje të fshehjes së gjurmëve të krimit dhe i dërgon në drejtim të panjohur për familjet e tyre deri në vitin 2013. Pra rasti është iniciuar në 2010-n dhe pas një sërë përpjekjesh e angazhim si komision qeveritar dhe me angazhim edhe të partnerëve ndërkombëtarë është arritur pastaj të konfirmohet varreza masive”, ka bërë të ditur Gara.
25-vjetorin e masakrës së Rezallës e përkujtuan udhëheqësit kryesorë shtetërorë. Presidentja Vjosa Osmani e quajti të nevojshëm dhe të domosdoshëm nxjerrjen para drejtësisë të autorëve të krimit. Kryeministri Albin Kurti, nëpërmjet një postimi në rrjete sociale theksoi se Kosova nuk mund të lejojë që harresa të mbulojë mizoritë që ndodhën në luftë”. E kryeparlamentari Glauk Konjufca se masakra e Rrezallës ndodhi në vazhdën e fushatës së krimeve kundër njerëzimit, gjenocidit, masakrave të njëpasnjëshme dhe spastrimit etnik.