Banorët e Reçakut të Shtimes nëpërmjet kërkesave zyrtare kanë kërkuar nga komuna e Shtimes ndërtimin e një monumenti, në vendin ku ndodhi masakra më 15 janar të vitit 1999.
Në Reçak më 15 janar të vitit 1999, forcat serbe masakruan 45 civilë shqiptarë.
Këshilli i fshatit të Reçakut ka dorëzuar në komunë një propozim-projekt se si mund të ndërtohet ky monument duke përfshirë edhe infrastrukturën rrugore, ndriçimin publik e të tjera.
Banorët kanë kërkuar që pas ndërtimit të monumentit të shkruhen të gjithë emrat e të masakruarve në një pllakë të veçantë me qëllim që vizitorët ta dinë saktësisht historinë dhe identitetin e të masakruarve.
“Ky monument mund të vendoset në vendin e ngjarjes dhe të shërbejë si një vend për vizitorë, për ndjekësit e demokracisë dhe të të drejtave të njeriut për të reflektuar mbi rëndësinë e respektimit të të drejtave të njeriut. Në përgjithësi, kjo është një temë e ndjeshme dhe e rëndësishme dhe ka shumë mënyra të ndryshme për të kontribuar në nderimin e martirëve të masakrës së Reçakut”, thuhet në propozim –projektin e këshillit të fshatit.
Përfaqësuesi i këtij fshati, Adem Ramadani, ka thënë përmes një kërkese drejtuar komunës se një skulpturë në kodrën e Bebushit në Reçak mund të paraqesë një monument të rëndësishëm për të nderuar martirët e masakrës së Reçakut dhe të theksojë rëndësinë e të drejtave të njeriut dhe vlerave demokratike.
”Skulptura përfaqëson martirët e masakrës në një pozicion të qetë dhe të pastër, duke simbolizuar vdekjen e tyre të pafajshme dhe heroizmin e tyre në mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Ideja për një skulpture në grup të të rënëve, martirëve mund të jetë një formë reale apo abstrakte që përfaqëson njerëzit që ishin të pranishëm në vendin e ngjarjes në ditën e masakrës”, ka thënë Ramadani.
Sipas tij, skulptura mund të ketë një formë që mund të kujtojë një grup njerëzish që janë në tokë, në një pozicion të vështirë dhe të lodhur nga frika dhe shqetësimi.
“Skulptura mund të jetë në bronz dhe të paraqesë një imazh shumërealist, duke përfshirë detaje të ngjarjes, siç janë armët dhe përdorimi i forcës nga forcat e sigurisë serbe. Skulptura gjithashtu mund të ketë një mesazh në qendër, duke përdorur fjali ose vargje nga poezitë ose këngët e shqiptuara në kujtim të martirëve dhe si një simbol i rezistencës ndaj shtypjes dhe dhunës. Skulptura duhet të jetë impresive dhe monumentale për të bërë përshtypje të thella dhe për të theksuar rëndësinë e kësaj ngjarjeje të dhunshme në historinë e Kosovës dhe në botën të drejtave të njeriut në përgjithësi”, ka thënë më tej nëpërmjet shkresës Ramadani.
KOHA me gjithë përpjekjet nuk ka mundur të marrë një deklaratë nga kryetari i komunës së Shtimes Qemajl Aliu, lidhur me këtë propozim të banorëve të Reçakut, ndërkohë drejtori për Urbanizëm në këtë komunë, Grejtalb Emini ka thënë shkurt se me kërkesa të tilla merren institucionet tjera.
“Kjo është procedurë që i përket Agjencisë së Memorialeve”, ka thënë Emini.