Arbëri

Banorët e Rakoshit protestuan për ndërprerjet e shpeshta të rrymës

Problemet me energji elektrike e detyrojnë Zoje Haxhiajn nga fshati Rakosh i Komunës së Istogut që ngrohjen dhe përgatitjen e ushqimit t’i bëjë edhe më tutje me dru.

90 vjeçja, që jeton e vetme në këtë shtëpi, thotë se ndërprerjet e shpeshta të energjisë elektrike ia kanë dëmtuar të gjitha pajisjet elektrike për ushqim e ngrohje, raporton KTV.

Sipas saj, telashet me energji në këtë fshat datojnë qe njëzet vjet, porse ato janë shtuar më shumë muajve të fundit.

Ajo shton se mbrëmjet janë të vështira për t’u kaluar pa rrymë si pasojë edhe e gjendjes së saj ekonomike e shëndetësore.

Me gjendje të njëjtë sikurse 90-vjeçarja përballen edhe banorë të tjerë të Rakoshit dhe të 13 fshatrave përreth nga Komuna e Istogut.

Kjo i shtyu ata që gjatë të martës, përmes një proteste paqësore të shoqëruar edhe nga njësite të policisë, t’i shprehnin pakënaqësitë e tyre për gjendjen e krijuar nëpër fshatra.

Për ankesat dhe protestën e banorëve të Rakoshit dhe të fshatrave të tjera zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, përmes telefonit ka konfirmuar për KTV-në se brenda këtij viti gjendja në këtë zonë pritet të rregullohet.