Gratë, burrat dhe fëmijët e Prelezit të Jerlive në Ferizaj mëngjesin e së enjtes bllokuan hyrjen e shkollës fillore“Ismail Qemaili” të këtij fshati.
Kjo, si shenjë proteste për t’i penguar dhe kundërshtuar punimet që planifikohet të nisin në një pjesë të oborrit të kësaj shkolle, e cila është privatizuar vite më herët, raporton KTV.
Pasi banorët arritën të ndalin ekskavatorin që tentoi të nisë punën, ata për dy orë radhazi janë lutur nga policia që ta lirojnë hapësirën. Pavarësisht kësaj, banorët ishin këmbëngulës që punimet nuk do të lejonin të nisnin, ndërsa fajtore e bënë komunën.
Këmbëngulësia e tyre nuk zgjati edhe shumë ngase policia së cilës nuk iu bindën të largohen, kërkoi përforcime nga njësi tjera. Me ndihmën e tyre, u arrit që të lirohet rruga për ekskavator dhe të nisin punimet.
E në komunë fajin ia hedhin udhëheqjes së kaluar, që sipas zyrtarëve të saj, kanë lejuar që kjo parcelë të privatizohet gjë që i jep të drejtë pronarit.
Megjithatë, sipas drejtorit të Kadastrës dhe Pronës, disa herë është tentuar të gjendet zgjidhje, por që është penguar nga vetë këta banorë.
Në mbledhjen e përbashkët ndërmjet palëve të përfshira, pronari i tokës ishte pajtuar që komuna të zhvendoset në një parcelë tjetër.