Arbëri

Banorët e Petrovës së Shtimes në hall nga vërshimet, kërkojnë rregullimin e shtratit të lumit

Banorët e Petrovës së Shtimes prej disa vitesh po përballen me vërshime sa herë që ka të reshura të shiut. Me vërshime të tilla ata janë duke u përballur edhe gjatë ditëve të fundit.

Me telashe më të mëdha po përballen banorët e lagjeve që jetojnë afër lumit si pasojë e mos rregullimit të shtratit të tij.

Ujërat e shiut gjatë së enjtes dhe të premten kanë depërtuar edhe nëpër disa shtëpi të banueshme duke dëmtuar pajisje të ndryshme të amvisërisë.

Isuf Hysenaj, është njëri nga banorët e këtij fshati i cili prej vitesh po kërkon nga autoritetet lokale që ta rregullon shtratin e lumit që kalon afër shtëpive të banimit dhe hapjen e kanaleve për trajtimin e ujërave atmosferik.

“Sa herë që kemi të reshura të shiut , ujërat depërtojnë nëpër oborre dhe nëpër shtëpi të banimit. Unë personalisht jam i dëmtuar më së shumti, andaj kam kërkuar prej komunës që t’i ketë parasysh kërkesat tona për rregullimin e lumit dhe të gypave atmosferik sepse të njëjtat ujëra po depërtojnë në shtëpinë time”, është ankuar Hysenaj.

Ai sqaron se disa herë ka marrë premtime prej autoriteteve lokale por deri tash nuk është zgjidhur problemi i banorëve, andaj kërkon nga komuna ta harton një projekt të detajuar për trajtimin e ujërave atmosferik të cilat po ua vërshojnë oborret dhe shtëpitë e banimit sa herë që ka të reshura të shiut.

Bardhyl Rushiti, drejtor për Shërbime Publike në Komunën e Shtimes nuk ka qenë i qasshëm gjatë së premtes për të marrë një përgjigje rreth kësaj çështje.