Arbëri

Banorët e Pejës kërkojnë ndërrim të destinimit të tokës nga banimi individual në atë kolektiv

“Kërkesa e shumicës së qytetarëve në këto takime për ndërrimin e destinimit të tokave për banim individual në atë kolektiv, është ndërlidhur me problemet që kanë familjet për zgjedhjen e çështjes së banimit për anëtarët e familjes, për shkak të pamundësisë financiare që fëmijëve të u ndërtojnë shtëpitë e veta. Me ndërrimin e destinimit të tokës, ata e kanë paraqitur mundësinë e zgjedhjes së këtij problemi”, tregon drejtori i Urbanizmit, Rajan Arapi, kërkesën kryesore që ka dal nga takimet publike për draft dokumentin e Hartës Zonale

Në kuadër të procesit të hartimit të Hartës Zonale Komunale (HZK),në të cilin gjendet aktualisht Komuna e Pejës, Drejtoria e Urbanizmit, ka përfunduar takimet publike të mbajtura gjatë muajit shkurt dhe muajit mars me banorët e zonave urbane dhe atyre rurale, rreth draft dokumentit të HZK-së, e cila specifikon vijat ndërtimore, rrugët, etazhitetet dhe gjitha tjerat që ndërlidhen me ndërtimin.

Në këto takime, që kanë përfunduar të martën, zyrtarët e Urbanizmit, kanë marrë mendimet, propozimet e sugjerimet e qytetarëve për plotësimin dhe ndryshimet e mundshme të këtij draft dokumenti.

Në këto takime, interesimi më i madh është treguar nga banorët e qytetit se sa qytetarët e zonave rurale, për arsye se siç thotë drejtori i Urbanizmit, Rajan Arapi, me hartën zonale potencohet vetëm destinimi i tokës dhe normat e ndërtimit, dhe si hartë zonale sipas tij është më tepër e fokusuar për zonën e qytetit, ku në momentin që hynë në fuqi Harta Zonale, e zëvendëson planin rregulluese në qytet, të hartuara në vitin 2012.

Në takimet në qytet, kërkesat e banorëve, siç tha Arapi, janë fokusuar kryesisht në dy pika.

“Ndërrimin e destinimit të tokave në disa zona të qytetit nga banimi individual në atë kolektiv dhe largimin e ndërtimit të rrugëve të planifikuara më herët me plane rregullues, që bien nëpër tokat private të qytetarëve, e të cilat komuna deri tash nuk i ka ndërtuar”, tregon Arapi dy kërkesat kryesore që janë paraqitur në këto takime. Kërkesa e shumicës së qytetarëve për ndërrimin e destinimit të tokave nga banimi individual në atë kolektiv, është ndërlidhur, siç tha Arapi, me problemet që kanë familjet për zgjedhjen e çështjes së banimit për anëtarët e familjes, për shkak të pamundësisë financiare që fëmijëve të u ndërtojnë shtëpitë e veta. “Me ndërrimin e destinimit të tokës, ata e kanë paraqitur mundësinë e zgjedhjes së këtij problemi. Normal që ne nuk mund ta shndërrojmë në çdo lokacion apo vendbanim destinimin e tokës nga banimi individual në banim kolektiv, sepse duhet ta mbrojmë edhe qytetin. Por në vendet ku ka mundësi dhe shumica e banorëve të një lagje janë për ndërrimin e destiminit të tokës, dhe këto kërkesa të qytetarëve janë ende të hapura si mundësi për ndërrimin e destinimit të tokës dhe akoma mundësi të shqyrtohen, sepse është draft dokument dhe mund të ndryshohet sipas kërkesave të qytetarëve”, tha Arapi. Plani Zhvillimor Komunal 2020-2028, i cili tashmë është i miratuar, parasheh për ndërtim të banimit kolektiv se duhet ti ketë ndërtuesi së paku 40 ari hapësirë dhe koeficienti i shfrytëzimit është 35 për qind në favor të ndërtimit të objektit, derisa pjesa tjetër hapësirë e gjelbëruar dhe parking. Në këtë plan sipas Arapit duhet të bazohet Harta Zonale. “Në qytet në zonat ku po mendohet të kalohet nga banimi individual në banim kolektiv, etazhiteti është përdhese plus pesë kate dhe shfrytëzimi maksimal për ndërtim është 35 për qind e hapësirës. Kurse, aktualisht e vetmja zonë e zgjerimit është bashkësia lokale Kristal dhe zona e lagjes Dardania skaj rrugës, por jo edhe lagjet brenda ku janë të urbanizuara dhe janë shtëpitë e ndërtuara sipas planit. Në Kristal dhe Dardania, niveli është më i ulet dhe nëse dikush i ka një hektarë tokë mund të ndërtohet ndërtesa për banim kolektiv tetë katëshe dhe shfrytëzim deri në 40 për qind për ndërtim. “Me Hartën Zonale dhe PZHK, ka qenë edhe qëllimi i komunës që ta mbrojë tokën bujqësore, veçanërisht zgjerimin e ndërtimeve kolektive në tokat bujqësore në periferi të qytetit dhe të lirohen hapësira dhe të lejohet ndërtim aty ku ka mundësi të lirohet nëpër qytet”, tha Arapi. Kërkesa tjetër nga banorët e qytetit, sipas arapit ka qenë që të hiqen nga planet rrugët e planifikuara me planet rregulluese që do të ndërtoheshin nëpër pronat private. “Ka ndodh që dikush të vjen me marr leje ndërtimi në tokën e vet dhe ka dal në planin rregullues që përmes parcelës së tij është planifikuar nga komuna ndërtimi i një rruge. E në momentin që kalon një rrugë sipas planit rregullues, ne nuk kemi mundësi ti japim leje. Rrugët e planifikuara nëpër parcelat private të planifikuara me herët me planet rregulluese, jemi munduar me hartën zonale me i eliminua nga plani ku kemi pas mundësi, pasi ato komuna i kishte paraparë por nuk i ka realizuar sepse nuk i ka pa të arsyeshme pasi qytetarët kanë qenë të bllokuar të ndërtojnë së paku një shtëpi në pronën e vet. Dhe këtë spastrim e ka bërë harta zonale me kërkesë të atyre qytetarëve”, tha Arapi. Sa i përket takimeve me banorët e zonave rurale, ka pas pakë interesim dhe në ato takime kryesisht kërkesat kanë qenë prej disave që të rritet numri i gurthyesve e separacionave. Mirëpo, me PZHK, Komuna i ka ndaluar ato dhe vetëm në zonën e Brestovikut, siç tha Arapi, janë të lejuara, ku në atë lokacion ka pas gurthyes edhe paraluftës. Takime publike për Hartën Zonale nuk janë mbajtur me banorët e Trevës së Rugovës, për shkak se ende nuk është miratuar Plani Hapësinor për parkun kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”, brenda të cilit gjendet kjo trevë. “Në momentin që ta kemi planin hapësinor, do të hartohet një plan i hollësishëm për Trevën e Rugovës”, tha Arapi. Pas takimeve me qytetarë, Drejtoria e Urbanizmit do të inkorporojë kërkesat e mundshme ne draft dokumentin e Hartës Zonale, e pastaj dokumenti dërgohet në Ministrinë e Planifikimit Hapësinor për pëlqim të pare dhe pas marrjes se pëlqimit dokumentin për një muaj mbetet në diskutim të hapur dhe nëse ka vërejtje, ato të mundshmet inkorporohen dhe serish dërgohet dokumenti për pëlqim në ministri. Pas marrjes se pëlqimit, draft dokumenti i Hartës Zonale dërgohet në Kuvendin Komunal për miratim.