Arbëri

Banorët e Muhocit të Ferizajt kundërshtojnë motelet në fshat

Banorët e Muhocit të Ferizajt janë në hall me numrin e madh të moteleve të ndërtuara këtë vit në hyrje të fshatit. Ata kanë bërë ankesa e peticione në nivelin lokal, por thonë se nuk janë shqyrtuar. E në Komunën e Ferizajt thonë se veprimtaria biznesore po zhvillohet sipas ligjeve në fuqi

Dhjetëra vila-motele janë ndërtuar gjatë këtij viti në fshatin Muhoc të Ferizajt. Po kaq janë ndërtuar edhe përgjatë magjistrales në drejtim të Prishtinës.

Numri i këtyre bizneseve hoteliere që ofrojnë pushime, kryesisht të shkurtra, po rritet në këtë komunë, e kjo po u pengon banorëve përreth tyre.

Banorët e fshatit Muhoc thonë se kundërshtimi i tyre nuk është marrë parasysh nga niveli lokal.

“Gjithë këto motele që janë ndërtuar nuk e di kush ka pasur mundësi t’i jep këto leje kaq shumë edhe këndej asfaltit por edhe andej asfaltit në magjistrale. Janë bërë shumë sikur ‘këpurdhat’, jemi shumë të indinjuar me këtë rast sa që edhe fëmijët kur kalojnë na bëjnë pyetje çka janë këto shtëpia të njëjta. Kësaj vere kemi bërë ankesa kur ka qenë ende po a u përfunduar, por nuk është marrë parasysh fare. I kemi nënshkruar edhe peticionet diku mbi 50 për qind të fshatit që kanë qenë prezentë të gjitha i kemi këtu”, ka thënë banori Mahmud Ramadani.

Sipas banorëve, ata kanë kërkuar nga institucionet komunale që të ndalojnë ndërtimin pa nisur. Kanë dorëzuar edhe një peticion.

“Kanë qenë këtu mbi 80 nënshkrime të fshatit tonë për këto marrëzira që i ka bërë komuna jonë duke ia dhënë lejen për t’i ndërtuar këto pa asnjë të drejte. Besoj se tash e tutje edhe Qeveria, edhe të gjitha institucionet tjera dhe partitë politike duhet të marrin masa ndaj këtyre dukurive negative, sepse e kanë shqetësuar krejt Kosovën...Ne kemi bërë ankesa qysh herët kur themelet patën filluar këtu, ne kemi mundur t’i ndalim edhe në mënyra tjera, por nuk kemi dashur dhe kemi dashur në mënyrë institucionale”, ka thënë banori tjetër, Sylejman Neziri.

Por për Komunën e Ferizajt gjithçka është sipas kritereve e ligjeve në fuqi.

“Në Drejtorinë tonë vetëm regjistrohen si biznes. Në Drejtorinë e Urbanizmit jepen pëlqimet e ndërtimit në bazë të Planit Zhvillimor Komunal, ku ky plan i parasheh vendet se ku mund të ndërtohen hotele dhe motele. Inspektorati me Policinë mandej merren me veprimtarinë e tyre nëse janë duke e devijuar”, ka thënë Balton Dërguti, drejtor për Zhvillim Ekonomik dhe Turizëm në Komunën e Ferizajt.

Pronarët e këtyre bizneseve nuk kanë pranuar të flasin, e banorët e fshatit Muhoc kanë paralajmëruar edhe protesta nëse Komuna nuk i shqyrton ankesat dhe peticionet e tyre.