Arbëri

Banorët e “Mati 1” prej pesë ditësh përballen me telashe në ngrohje

Fadil Krasniqi, banor i kësaj lagjeje, që është njëra prej më të frekuentuarave në kryeqytet, ka shprehur ankesën se nuk e merr shërbimin për të cilin paguan për çdo muaj. E në “Termokos” kanë thënë se konsumatorët që kanë probleme me ngrohje do të faturohen konform cilësisë së shërbimit që u ofrohet

Banorë të lagjes “Mati 1” në Prishtinë prej pesë ditësh kanë mbetur pa furnizim me ngrohje nga “Termokosi”. Ata kanë bërë të ditur se lidhur me problemin kanë paraqitur ankesë edhe te kompania, por që ajo nuk u ka bërë zgjidhje.

Fadil Krasniqi, banor i kësaj lagjeje, që është njëra prej më të frekuentuarave në kryeqytet, ka shprehur ankesën se nuk e merr shërbimin për të cilin paguan për çdo muaj.

“Ngrohja është shumë e dobët dhe kisha pasur dëshirë që secili të ketë ngrohje, sepse është ftohtë, temperaturat janë të ulëta. Gjithmonë, për çdo muaj duhet ta paguajmë, sepse na e ndalin ngrohjen menjëherë nëse nuk e paguajmë”, është shprehur ai.

E banori tjetër, Bekim Krasniqi, ka bërë të ditur se problemi me ngrohjen shfaqet kryesisht në katet e larta të banesave të lagjes.

“Në katin e nëntë, për shembull, nuk ka ngrohje për shkak të presionit të ujit, i cili nuk vjen lart. Duhet të plotësohet radiatori ose duhet të bëhet diçka që t’i nxirret ajri apo diçka, por mendoj se nuk është në pyetje kjo, por nuk ka presion të ujit prej ‘Termokosit’”, ka thënë Krasniqi.

Përkitazi me ankesat, në “Termokos” kanë thënë se problem kanë vetëm katër nga 118 objekte banesore në këtë lagje të Prishtinës.

“Jemi duke bërë një hulumtim të detajuar për shkaqet që mund të kenë ndikuar që ngrohja për këto objekte të mos jetë e cilësisë, që është tek objektet e tjera, gjë që do të përcaktojë masat e tjera në përmirësimin e mëtutjeshëm të furnizimit me ngrohje edhe për këto objekte banesore”, ka thënë Afërdita Uka, zëdhënëse e “Termokosit”.

Në këtë kompani kanë thënë po ashtu se konsumatorët që kanë probleme me ngrohje do të faturohen konform cilësisë së shërbimit që u ofrohet.

Në rrjetin e ngrohjes qendrore në kryeqytet aktualisht janë të lidhur 30 mijë njësi banesore a biznese.