Disa objekte të braktisura të ish-ndërmarrjes shoqërore “Goleshi”, në fshatin Magurë të Komunës së Lipjanit, prej vitesh përbëjnë rrezik për banorët. Ata u janë drejtuar institucioneve lokale dhe atyre qendrore me kërkesën që të merret vendim për rrënimin e tyre. Por këto kërkesa të tyre nuk janë shqyrtuar asnjëherë
Banorët e Magurës së Lipjanit prej vitesh ankohen se së paku tri objekte të boshatisura që nga paslufta po përbëjnë rrezik për ta, si për shkak të vjetërsisë, ashtu edhe të shfrytëzimit të tyre abuzues.
Ata kanë adresuar kërkesa në Komunë për rrënimin e tyre, por kjo është bërë e pamundur, meqë banesat e ish-minatorëve të minierës së “Goleshit” në këtë lokalitet, prej disa vjetësh i kanë kaluar në pronësi Agjencisë Kosovare të Privatizimit.
Ramiz Gashi, kryetari i fshatit, ka thënë se pas ankesave të adresuara banorët janë në pritje të një vendimi nga Komuna dhe AKP-ja.
“Banorët janë më së shumti të shqetësuar për këtë objektin e vjetër, sepse ka lëvizje të fëmijëve dhe ata janë të rrezikuar. Por unë si kryetar i fshatit, në bashkëpunim me komunën, po e presim një vendim prej AKP-së që ta bartë në komunë dhe pastaj komuna të veprojë në drejtimet e veta”, ka theksuar Gashi.
Ndërsa Ramë Bardhi, banor i fshatit, ka thënë se gjendja e tyre përbën rrezik për kalimtarët, e sidomos për fëmijët.
“Shqetësimet e tona me këto objekte që janë shkatërruar krejt janë të mëdha. Për arsye se janë shkatërruar po shihet dhe mund të ndodhë më e keqe pasi që nxënësit lëvizin këndej. Por mua më ka ndodhur derisa isha duke kaluar me veturë më ka rënë afër veturës, por sikur të kishte dëmtuar veturën nga kush do të kërkoja llogari. Këtu i ka fajet AKP-ja, sepse objektet duhet të rrënohen. Komuna ka dëshirë t’i largojë, por kanë mbetur kështu derisa të intervenojë dikush”, ka thënë Bardhi.
Në Komunën e Lipjanit treguan se kanë kërkuar disa herë pëlqimin e AKP-së për rrënimin e objekteve, porse nuk kanë marrë përgjigje.
“Për këtë arsyeje ne i kemi pasur në vizitë zyrtarët e AKP-së dhe së bashku kemi shkuar në vendin e ngjarjes dhe kemi shikuar ato objekte, sepse ato përveçse po paraqesin rrezik për qytetarët, po shfrytëzohen edhe për dukuri negative. Ne po presim për një vendim nëse na lejojnë AKP-ja që ta bëjmë rrënimin si komunë apo AKP-ja të vendosë që t’i rrënojë ato objekte vetë”, ka deklaruar Hyra Bytyqi, zëdhënëse e Komunës së Lipjanit.
E në Agjencinë Kosovare të Privatizimit i kanë thënë KOHËS se kanë pasur telashe me Komunën e Lipjanit rreth strehimit të disa familjeve që ishin vendosur në njërin prej objekteve.
“Objektet në fjalë ndodhen në kompleksin e NSh MIM Golesh, i cili administrohet nga AKP-ja. Ka pasur korrespondencë të hershme në mes të Komunës dhe AKP-së fillimisht për një objekt në të cilin janë vendosur familje pa mundësi banimi apo të pastrehë. AKP-ja bashkë me zyrtarët e Komunës kanë dalë në vendngjarje në Magurë, është vizituar objekti dhe është biseduar me familjet që janë strehuar aty, nga të cilët është kërkuar që të largohen, por kanë kundërshtuar kategorikisht, duke u ankuar në Komunën e Lipjanit, se përkundër aplikimeve të tyre për strehim social, deri më sot nuk janë strehuar. Prandaj edhe janë detyruar të strehohen në objekte të vjetra”, ka bërë të ditur AKP-ja.
Në përgjigjen e AKP-së është thënë se mes zyrtarëve të Komunës është arritur dakordimi për rivlerësimin e objekteve për përcaktimin e shkallës së rrezikshmërisë, porse nuk kanë marrë informacione nëse ky rivlerësim është realizuar.