Arbëri

Banorët e Magures ankohen se imigrantët po u shkaktojnë probleme me daljen nga qendra

Ka disa javë që persona të ardhur nga vende të ndryshme, kryesisht nga Libia, Siria, Maroku e Algjeria, janë duke qëndruar në fshatin Magure të Komunës së Lipjanit.

Megjithatë, ata kanë destinacion vendet e tjera të Ballkanit.

Njëri nga ta, shtetas i Libisë tregon se Kosovën nuk e ka destinacion të fundit.

“Në Kosovë kam ardhur qe 20 ditë, ndonëse në vendin tim nuk ka luftë, destinacion kam Serbinë, pasi në Libi është shumë vështirë për të gjetur një punë”, ka thënë Abdullah Deri, shtetas i Libisë, raporton KOHA.

Por, banorët e fshatit ankohen se personat e ardhur po u shkaktojnë probleme dhe se po qëndrojnë në objekte të pabanueshme në këtë fshat.

Ndërkohë, Qendra për Azil bashkë me Policinë në Magure të martën, pas ankesave të banorëve kanë nisur t’iu bëjë zgjidhje për strehim.

Megjithatë, udhëheqësi i kësaj qendre, Fitim Zariqi, thotë se aty nuk ka vend, vetëm janë duke e shqyrtuar mundësinë që t’i dërgojnë në Vranidoll të Komunës së Podujevës.

Zariqi thotë se ka qenë problem identifikimi i tyre pasi që, ata po u ikin procedurave të kësaj qendre.

Përndryshe, në 2 vjetët e fundit, numri i azilkërkuesve në Kosovë është rritur.