Arbëri

Banorët e Leqinatit të Drejlave mbesin pa qasje në shtëpitë dhe bizneset, shkaku i rrëshqitjes së dheut

Tash e një muaj banorët e Leqinatit të Dreljave në Rugovë po i shikojnë shtëpitë dhe bizneset e veta vetëm nga ana tjetër e lumit.

Anën tjetër, ata nuk po mund ta kalojnë për shkak se rruga, ura dhe shtrati i lumit janë bllokuar dhe dëmtuar nga dheu që ka rrëshqitur.

Në fund të dhjetorit në pjesën e magjistrales Pejë-Kuqishtë, afër fshatit Kuqishtë, kishte rrëshqitur një masë e dheut.

“Jemi bllokuar krejt. S’mund të dalim as te shtëpia, as te restoranti. Po shihet edhe vetë se çka është ba”, thotë Albert Shala, banor i Leqinatit të Drelajve.

Pronari i një biznesi familjar, Gani Shala, tregon se prej që është bllokuar rruga dhe shtrati i lumit nga dheu, e ka të pamundur t’i afrohet restorantit dhe bujtinave të tij për shkak se lumi tash po rrjedh sipër rrugës anën tjetër që shpije te biznesi i tij.

“Kam qenë te kryetari, kqyrim bajmë diçka. Jam shku te Drejtoria e Shërbimeve Publike. Nja tri-katër ditë kqyrim-kqyrim... tash me thonë nuk mundem na kurgjo s’kem çka me ba, operatori duhet me ta pastru... unë s’po di ku me shku çka me ba”, thotë Shala.

E në Komunë nuk ndihen të obliguar për t’iu dalë në ndihmë banorëve me arsyetimin se komuna në këtë rast nuk mban përgjegjësi, ngase siç thonë në Drejtorinë e Shërbimeve Publike, dëmi është shkaktuar nga operatori i kontraktuar nga Ministria e Infrastrukturës.

“Ne e kemi njoftuar Ministrinë, ministria ka dalë në vendin e ngjarjes dhe tash mbetet pjesë e tyre se çka më tutje”, deklaroi Xhevahire Çeku-Kelmendi, drejtoreshë e Shërbimeve Publike.

KOHA ka kontaktuar edhe drejtorin e Departamentit të Menaxhimit të Rrugëve në Ministrinë e Infrastrukturës, Malë Lokaj, i cili tha se pavarësisht rrethanave se si ka ardhur deri te kjo situatë, duhet ta bëjnë një zgjidhje bashkërisht Ministria dhe Komuna, që të zhbllokohet ai fshat e të sanohet infrastruktura e dëmtuar.