Fshati Landovicë ndonëse po përballet me dukurinë e migrimit, megjithatë ka rini aktive që në mënyrë vullnetare herë pas here kujdeset për pastrimin e rrugëve dhe mjedisit në këtë lokalitet. Ata po shpresojnë që nismat e tilla të shërbejnë për ndërgjegjësim, në mënyrë që mbeturinat të mos hidhen vend e pa vend
Një grup i banorëve të fshatit Landovicë të Prizrenit me vetiniciativë kanë realizuar aksionin për pastrimin e rrugëve kryesore të këtij lokaliteti.
Ata me vete kanë marrë vegla të ndryshme për realizimin e këtij aksioni, ndërkohë që nuk ka munguar edhe mobilizimi i makinerisë së rëndë për heqjen e dheut të shtresuar. Krahas angazhimit për krijimin e një mjedisi më të pastër, ata shpresojnë që kjo nismë të shërbejë edhe për ndërgjegjësim, në mënyrë që mbeturinat të mos hidhen vend e pa vend.
“Ideja për pastrimin e rrugëve të fshatit nuk është vetëm e sotme. Ne çdo herë marrim aksione të njëjta, të tilla, për arsye se vet jemi banorë të këtuhit dhe është edhe kulturë, pastërti e jona, është në kuadër të shëndetit të banorëve, edhe të pamjes kur vijnë mysafirët, se shihet që është një pamje shumë e bukur, lumi këtu në mes edhe rregullimi që ka qenë, ne duhet të paktën pasi jemi banorë këtu edhe ta mirëmbajmë", tha banori Faik Berisha.
Përfaqësuesi i fshatit, Artan Gashi, ka theksuar se synimi i këtij aksioni është krijimi i një mjedisi të pastër, por edhe përmirësimi i pamjes së rrugëve të fshatit.
“Me vetiniciativën e banorëve po bëhet pastrimi i rrugëve. Po duam t'ia japim një pamje fshatit dhe me dëshmu se jemi komunitet i organizuar për pastrimin e rrugëve edhe ambientit në përgjithësi”, tha Gashi.
Imami i fshatit, Benjamin Arifi, thekson se banorët e Landovicës shumë herë e kanë dëshmuar se janë komunitet i njerëzve të organizuar, të cilët kujdesen për vendbanimin e tyre, ngase aksione të tilla organizohen vazhdimisht.
“Kjo ka qenë edhe viteve të kaluara me iniciativën e banorëve, ka edhe iniciativa të tjera, para disa netëve kishim iftarin e përbashkët, në fillim të Ramazanit pastrimin e oborrit të xhamisë dhe objekteve të tjera përreth. Me një fjalë edhe pse shumica kanë emigruar, por fshati ka qenë gjithmonë i bashkuar për iniciativa të tilla, gjithmonë ka vazhduar”, tha Arifi.
Qendra e fshatit Landovicë në vitin 2019 pati fituar çmimin "Rruga më ekologjike", në kuadër të konkursit ekologjik që realizohet nga Komuna e Prizrenit.