Banorët e lagjes Lakrishte në Prishtinë kanë protestuar të mërkurën në afërsi të objekteve të rrënuara të Ndërmarrjes Publike Banesore, pas shqetësimeve të ngritura se objekti i rrënuar ka pasur material të azbestit që konsiderohet të jetë kancerogjen.
Për KTV-në protestuesit janë shprehur të shqetësuar dhe kanë kërkuar përgjegjësi nga institucionet e vnedit.
“Jemi të shqetësuar me rrënimin e këtyre objekteve. Sikur edhe shkolla ‘Xhevdet Doda’ edhe ne të gjithë të tjerët jemi nën ndikimin e materialit që thuhet se është kancerogjen”, ka thënë përfaqësuesi i banorëve, Muzafer Mustafa.
Sipas tij, qindra banorë të banesave përreth objektit të rrënuar po kërkojnë të dinë përse s’janë njoftuar nga autoritetet për rrënimin, siç janë paralajmëruar nxënësit e gjimnazit “Xhevdet Doda” që në dy ditët e para të javës s’kanë mbajtur mësim pas njoftimit se do të bëhen “vlerësime mjedisore në atë rrethinë”. Sot nxënësit e kësaj shkolle i janë kthyer mësimit fizik.
“Kërkojmë nga institucionet të merren me këtë punë. Të na njoftonin e të largoheshim edhe ne apo diçka tjetër. Të gjithë kemi fëmijë e llogaritni çka do të bëhet me ta në moshë të mëvonshme. Dikush duhet të japë përgjegjësi”, ka shtuar Mustafa.
Ndërkaq Tush Markaj, që ka thënë se është njohës i problemeve që mund të sjellë azbesti, e ka cilësuar rrënimin krim mjedisor. Ka thënë se ka bërë ankesë edhe në Ministri të Mjedisit duke u bazuar në “udhëzimin e posaçëm për menaxhim të azbestit”. Është shprehur i habitur se përse as kjo ministri e as ajo e Shëndetësisë s’kanë bërë asnjë reagim.
“Është shumë, shumë i rrezikshëm. Pasojat e tij janë me vjet, pas 15 e më shumë vjetësh. Shkon përmes procesit të frymëmarrjes. Nuk e sheh, por janë fibrat që ndikojnë. Kur dëgjova sot se i kanë lejuar shkollën. S’ka kush të bëjë analiza këtu në Kosovë”, është shprehur ai.
Banorët kanë kërkuar edhe hetime për çështjen në fjalë.
Rrënimet në këtë zonë kanë zgjatur disa ditë. Siç pati deklaruar për KOHËN, drejtori i Inspektoratit në Prishtinë, Adonis Tahiri, NPB-ja ka lejen për rrënim të objekteve për shkak të investimeve të saj në atë pjesë. NPB-ja po synon të ndërtojë aty një ndërtesë të lartë. Thirrja për bashkë-investim potencial ka zgjatur vetëm dy ditë dhe kjo ka ngritur dyshime tek opozita. Komuna dhe Ndërmarrja janë akuzuar se këtë projekt po e mbajnë të fshehur nga publiku.