Banorët e fshatrave Kraishtë dhe Bregu i Zi të Lipjanit së bashku me një pjesë të banorëve të fshatrave Godanc dhe Varigoc të Shtimes kanë nisur mbledhjen e nënshkrimeve për ta kundërshtuar e vendimin e Kuvendit Komunal të Lipjanit të vitit 2018 i cili parasheh groposjen e kafshëve të ngordhura afër shtëpive të banimit e burimeve ujore.
Kjo iniciativë ka nisur pas protestës së organizuar nga banorët për të cilën ka raportuar KOHA në javën e kaluar. Deri më tash banorët kanë mbledhur rreth 300 nënshkrime, ndërkohë po planifikojnë që ai të arrijë deri në 1500 nënshkrime për ta dorëzuar në Komunë. Një peticion të tillë banorët e patën dorëzuar në komunë rreth katër vjet më parë, por sipas tyre nuk është shqyrtuar.
Armend Luma, banori i fshatit Kraishtë të Lipjanit, njëherësh iniciator i peticionit, ka thënë se Kuvendi Komunal e ka për obligim ligjor që peticionet e qytetarëve t’i bartë në Kuvend për shqyrtim. Sipas tij, kuvendarët duhet ta anulojnë vendimin e vitit 2018 për groposjen e kafshëve me sëmundje të ndryshme afër vendbanimeve. Sipas tij, peticioni do të vazhdojë edhe gjatë ditëve në vazhdim për ta dorëzuar zyrtarisht në komunë.
“Deri tash, për pak ditë i kemi mbledhur mbi 300 nënshkrime, ndërkohë do të vazhdojmë edhe gjatë ditëve të ardhshme sepse është shumë me rëndësi që vendimi i Kuvendit të anulohet sepse kafshët që groposen këtu kanë sëmundje ngjitëse. Ne do të vazhdojmë ta kundërshtojmë iniciativën e komunës dhe të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës për t’i groposur kafshët afër shtëpive e afër burimeve të ujit të pijshëm. Protestat do të vazhdojnë edhe para komunës nëse kërkesat tona nuk merren parasysh”, ka thënë Luma.
Në kërkesën për peticion të banorëve, midis të tjerash thuhet se ai është iniciuar nga banorët e fshatit Kraishtë, Bregu i Zi dhe Varigovc.
“Peticioni është kundër vendimit të Kuvendit Komunal në Lipjan për caktimin e lokacionit për Deponi të Mbeturinave nga Ndërtimet dhe Demolimet e tyre dhe groposjen e kafshëve të ngordhura të datës 01.02.2018, gjegjësisht anulimin e këtij vendimi dhe gjetjen e një lokacioni të ri në bashkëbisedim me banorët nga komuna e Lipjanit”, thuhet midis të tjerash në kërkesën e banorëve.
Ndërkaq, në vendimin e vitit 2018 të Kuvendit Komunal të Lipjanit, të cilin e ka siguruar KOHA, midis të tjerash thuhet se lokacioni për groposjen e kafshëve në lokacionin e zonës kadastrave të Bregut të Zi me sipërfaqe prej 50 arësh.
“Sipërfaqja totale prej 19114 metër katrorë, me kulturë Mal i klasës së 5 është pasuri shoqërore e Kuvendit Komunal të Lipjanit, caktohet për deponimin e të gjitha mbeturinave të cilat shkaktohen nga ndërtimet dhe demolimet e tyre. Gjithashtu prej kësaj parcele propozohet edhe lokacioni me sipërfaqe prej dhjetë arësh për nevojat e groposjes së kafshëve të ngordhura”, thuhet midis të tjerash në vendim.
Në anën tjetër, Komuna e Lipjanit, ditë më parë nëpërmjet një përgjigje me shkrim pati sqaruar se janë të hapur për të pranuar kërkesat e banorëve dhe për t’i shqyrtuar ato. Sipas komunës, vendimi është marrë nga Kuvendi Komunal për groposjen e kafshëve në lokacionin e zonës kadastrave të Bregut të Zi me sipërfaqe prej 50 arësh.
“Sa i përket pakënaqësive të banorëve ne jemi brenda një obligimi që është marrë vendim në KK Lipjan të datës 01.02.2018. Ne si komunë jemi të hapur për ankesa nga qytetarët dhe të gjitha ankesat që kanë bazë ligjore do të shqyrtohen në përpikëri në të mirën e përgjithshme”, thuhet midis të tjerash në përgjigjen e Komunës.