Arbëri

Banorët e Janjevës kërkojnë urgjentisht rregullimin e urës pas dëmtimit nga vërshimet

Një pjesë e banorëve të Janjevës së Lipjanit që jetojnë përgjatë shtratit të lumit po kërkojnë nga institucionet lokale rindërtimin e urës e cila ditë më parë është dëmtuar nga të reshurat dhe vërshimet e ujit. Si pasojë e dëmtimit të urës disa familje vazhdojnë të jenë të bllokuara në pjesën tjetër të lumit. Autoritetet lokale menjëherë patën dalë në vendin e ngjarjes, por kanë thënë se për rindërtimin e urës duhet t’i ndjekin disa procedura por brenda një të ardhme të afërt do të rregullohet.

Behgjet Kongjeli, përfaqësues i Janjevës, ka thënë për KOHEN se vërshimet e ditëve të fundit kanë shkaktuar dëme të mëdha në infrastrukturë por edhe në disa shtëpi të banimit. Ai ka kërkuar me urgjencë nga komuna që ta rregullojnë urën për të lëvizur qytetarët.

“I kemi disa familje që kanë mbetur andej lumit të cilat nuk mund të lëvizin me vetura sepse ura është dëmtuar shkaku i vërshimeve që patën ndodhur para 3 dite, andaj ne kërkojmë që kjo të rregullohet sa më shpejtë. Në ditën e vërshimeve kem marrë premtime nga komuna se shumë shpejt do të rregullohet ura, por tash jemi në pritje. Banorët kanë dorëzuar gjatë ditës së sotme (të martën) kërkesat e tyre për kompensim të dëmeve të shtëpive dhe po shpresojmë se do të gjejnë përkrahje”, ka thënë Kongjeli.

Sipas tij, Janjeva ishte përballur me vërshime mjaftë të mëdha derisa lumi ishte i mbushur me mbeturina, ndërkohë si pasojë e kësaj është dëmtuar edhe ura që lidh disa familje.

“Ne si kryesi e fshatit kërkojmë edhe nga banorët që ta mbajnë higjienën dhe mos të hedhin mbeturina përgjatë lumit sepse ato po e pengojnë rrjedhën e ujit dhe pastaj po paraqiten telashe kur po kemi të reshura të shiut”, ka thënë Kongjeli.

Në Janjevë ka pasur vizita edhe nga kuvendarët dhe përfaqësuesit e subjektit opozitat të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët kanë kërkuar me urgjencë rregullimin e infrastrukturës dhe mbështetje për familjes që janë të rrezikuara përgjatë lumit.

“Një familje më e rrezikuar tashmë ka dalë nga shtëpia e tyre, ndërsa familje të tjera që jetojnë skaj lumit ndihen të rrezikuar. Banorët kanë shprehur hallet e tyre duke u ankuar se shumica prej tyre janë detyruar të intervenojnë vetë, derisa kanë shtuar se kjo që ka ndodhur ishte edhe si pasojë e mospastrimit të këtij lumi dhe se kur janë ndërtuar disa ura, punimet nuk janë kryer si duhet. Kërkojmë nga Komuna e Lipjanit që të ndërmarrë veprime për të vlerësuar dëmet, si dhe masa për të parandaluar vërshimet përmes rregullimit të shtratit të lumit dhe sanimin e dëmeve nga ndërtimi i urave”, ka thënë nëpërmjet një shkrese Valenton Amerllahu, sekretar i LVV-së në Lipjan.

Ndërkohë, pas dëmtimit të urës dhe dëmeve tjera në shtëpitë e banimit në Janjevë, banorët janë vizituar edhe nga drejtuesit e Komunës së Lipjanit të cilët janë zotuar se do t’i shqyrtojnë kërkesat e komunitetit.

Sead Aliu, drejtor për Infrastrukturë në Komunën e Lipjanit, ka thënë për KOHEN se menjëherë kanë nisur procedurat për ndërtimin e urës së re.

“Në buxhet nuk ka qenë e planifikuar ndërtimi i kësaj ure, por kjo ka ndodhur e pa pritur, prandaj menjëherë jemi aktivizuar dhe shumë shpejtë do ta rindërtojmë atë. Aty kemi telashe edhe me rrjetin e Kanalizimit, prandaj jemi duke i shikuar mundësitë buxhetore për ta realizuar edhe këtë projekt. Ndërkohë sa i përket dëmeve të shohim se si po rrjedhin gjërat, ndërkaq kompani tashmë i ka tërhequr dy vetura të cilat kanë mbetur në lum”, ka thënë Aliu.


{gallery}