Arbëri

Banorët e Hanit të Elezit ankohen për mungesë të ujit, “Bifurkacioni” për mospagesën e faturave

Hani i Elezit

Kompania rajonale e ujësjellësit “Bifurkacioni” që nga fillimi i këtij viti e ka marrë në menaxhim rrjetin e ujësjellësit edhe në Komunën e Hanit të Elezit. Por, banorët e kësaj komune ankohen për reduktime të shpeshta dhe cilësi jo të mirë të ujit. Në “Bifurkacion” përmendën problemet me pagesa e refuzim të banorëve për të vendosur ujëmatësit. Ndërsa në komunë thonë se shkaktare janë humbjet në rrjet për shkak të vjetërsisë së tij

Që prej pasluftës, banorët e Hanit të Elezit ankohen se përballen me reduktime të vazhdueshme të ujit të pijshëm dhe për ujë jocilësor.  

Fabrika për përpunimin e ujit, që u përurua vitin e shkuar, është marrë në menaxhim nga kompania rajonale e ujësjellësit “Bifurkacioni”, por megjithëkëtë qytetarët thonë se ende nuk u ofrohen shërbime cilësore.

Përpos reduktimeve, ata thonë që edhe në periudhën kur kanë furnizim, uji nga rubinetet shpeshherë del i ndotur.

“Ujë s’kemi dhe kur vjen me reduktime një herë apo dy herë në ditë është me reduktime dhe nuk është i mirë për pije. Unë para një jave kam qenë në Komunë dhe jam ankuar, por ata fajin ia kanë hedhur “Bifurkacionit”, mirëpo i thash drejtorit se kur keni ardhur në pushtet keni pasur premtim se për gjashtë muaj do të kemi ujë këtu në Hanë të Elezit, por tash jeta është bërë e pajetueshme”, ka deklaruar Lulzim Vushi, banor i Hanit të Elezit.

E Sylejman Vila i bënë thirrje “Bifurkacionit” që të marrë masa për pastrimin e ujit. 

“Ta pi një gotë ujë siç duhet pas 63 vjetëve... Mbas vitit të ri veçse ka filluar me i vendosë orët dhe me i marrë pagesat. Unë nuk jam kundër pagesës, sepse paguajnë krejt shqiptaria dhe krejt njerëzit kudo në botë, andaj edhe ne do të paguajmë, por vetëm le të jetë i pijes, asgjë nuk po kërkojmë më tepër”, ka thënë Vila.

E kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhi, fajin për problemin e barti te humbjet në rrjet.

“Prodhimi i ujit nga fabrika që e prodhon ujin është prej 41 mijë deri në 46 mijë litra që prodhon për një orë. Që i bie për 5 mijë banorë mund të shpenzojnë 300 litra në 24 orë, është i mjaftueshëm apo më tepër sesa ka nevojë një person brenda 24 orëve për ta përdorur ujin, por tash problemi është edhe i humbjeve në rrjet sepse është rrjeti i vjetër sepse janë dy rrjete, njëri i viteve të 50-ta dhe tjetri nga paslufta e këto duhet të eliminohen”, ka theksuar Ballazhi.

Jeton Shabani, drejtori i KRU “Bifurkacioni”, tha se kompania është duke bërë investime në rrjet dhe po punon në regjistrimin e konsumatorëve, që prej nisjes së faturimit në muajin shkurt.

“Ujë ka mjaftueshëm, mirëpo shpenzimet janë të mëdha, dhe tani jemi duke u munduar që ta kontrollojmë rrjetin se mos ka dhe ndonjë prishje të gypit-rrjedhje. Fabrika e ujit në Dimcë monitorohet 24 orë në ditë nga punëtorët tanë, ku përpunohet dhe dezinfektohet uji, gjë që na garanton për cilësinë e ujit. Kemi regjistruar mbi 600 konsumatorë që furnizohen nga FPU Dimcë, nga muaji i kaluar kemi filluar me faturim. Nuk janë duke u përgjigjur mirë me pagesa dhe jemi duke pasur problem me montimin e orëve nëpër shtëpi, sepse nuk po na lejojnë”, ka bërë të ditur Shabani.

Në këtë kompani u bënë thirrje qytetarëve që të regjistrohen si konsumatorë dhe të lejojnë vendosjen e ujëmatësve, e në të kundërtën paralajmëruan ndëshkime bazuar në rregulloren në fuqi e edhe nisjen e procedurave gjyqësore.