Komuna e Lipjanit para 6 vjetëve, kishte shtrirë rrjetin e kanalizimit nëpër prona private në fshatin Hallaq i Madh, pa pëlqimin e pronarëve.
Megjithatë, gjatë vitit 2017, njëri nga pronarët kishte paditur Komunën dhe kishte fituar rastin në Gjykatën Themelore të Lipjanit, raporton KTV.
Edhe pas dy vjetëve Komuna nuk e ka përfillur vendimin e gjykatës, e cila obligon këtë institucion që ta zhvendosë rrjetin e kanalizimit në pronë publike.
Banorët thonë se Komuna nuk ka punuar sipas projektit andaj, pronat e tyre kanë mbetur të pashfrytëzueshme.
Thonë se kundërmimi po e vështirëson jetesën e tyre, madje ka familje që shkaku i kësaj çështjeje, e kanë ndërruar vendbanimin.
Në një përgjigje zyrtare të cilën e ka marrë familja Shabani nga kryetari i kësaj komune Imri Ahmeti, midis të tjerash, thuhet se vendosja e gypave të kanalizimit në këtë fshat nuk paraqet problem për askënd.
Televizioni ka kërkuar sqarim për këtë çështje edhe nga Komuna e Lipjanit, por zyrtarët e saj nuk janë përgjigjur.