Banorë nga fshati Verbicë e Kmetovcit kërkojnë që Komuna e Gjilanit t’iu përmbahet zotimeve për ndërtimin e sistemit të ujësjellësit për fshatin e tyre.
Ata deklarojnë se fshati i tyre së bashku me fshatin Bilinicë dhe fshatin Vrapqiq poashtu edhe lagjen e qytetit Poredin ishin futur në një pako të investimeve. Banorët në këtë fshat janë të pakënaqur me komunën, e cila sipas tyre, nuk është duke i trajtuar në mënyrë të barabartë vendbanimet sa i përket investimeve.
Banori i këtij fshati, Shefik Surdulli i cili njëherit është edhe këshilltar komunal deklaron se ujësjellësi në këtë fshat do të duhej të ishte çështje e përfunduar prej kohësh.
Sudulli thotë se për shkak të mungesës së furnizimit me ujë të pijes, një pjesë e banorëve kanë bërë shpimin e puseve kurse ata të cilët nuk kanë pasur mundësi financiare detyrohen që të mbushin ujë nga krojet.
“Projekti i ujësjellësit për fshatin tonë është duke u zvarritur tash e 6 vite. Fshati do të duhej të furnizohej me ujë nga Penda e Përlepnicës përmes gypave. Por nuk ka investime deri tash. Ata që kanë pasur të holla kanë bërë shpimin e puseve kurse të tjerët detyrohen që me vetura të mbushin ujë për pije te kroji. Ka kohë që komuna nuk ka investuar në fshatin tonë. Krejt çfarë na është thënë nga komuna se sistemi i ujësjellësit është në procedurë” ka thënë Surdulli.
Ndërkaq kryetari i fshatit Bilinicë, Avni Haliti deklaron se në fshatin e tyre punimet në ndërtimin e sistemit të ujësjellësit janë në fazën e fundit. Haliti deklaron se është bërë shpimi i një pusi poashtu në fshat është vendosur rezervari dhe gypat.
“Pusi është i përfunduar, rezervari i përfunduar, gypat kryesore janë bërë në çdo lagje. Çfarë ka mbetur siç po na thotë kompania i cili kryen punimet tani është vetëm instalimi i rrymës dhe mandej testohet edhe rezervari” ka thënë ai.
Ndërkaq drejtori teknik në kompaninë e ujësjellësit “Hidromorava”, Mumin Morina deklaron se ata fillimisht duhet të merren me hulumtimin e burimeve të ujit në fshatin Vrapqiq dhe pasi të përfundojnë punimet, atëherë do të merren edhe me fshatin Verbicë e Kmetovcit.
“Në fshatin Vrapqiq kemi problem se nuk ka ujë mirëpo jemi duke hulumtuar një vend për shpimin e një pusi i cili kur do të hapet nuk do të jetë i zakonshëm sikurse puset familjare por që ka për qellim furnizimin e banorëve. Banorët e këtij fshati na kanë thanë që janë pajtuar me fshatin Kravaricë për hapjen e një pusi në një pronë në një lokacion tjetër. Pasi të përfundojmë punët në këtë fshat do të merremi mandej edhe me Verbicën e Kmetovcit. Punët janë zvarritur edhe shkaku i pandemisë”, ka thënë Morina.