Banorët e lagjeve “Kongjeli” e “Mexhuani” të fshatit Siboc të Obiliqit po e kundërshtojnë vlerën e çmimit për shpronësimin e pasurive të tyre. Ata kanë thënë se çmimi për objekte që u është caktuar para një muaji nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve është përgjysmë më i vogël sesa vlerësimi që ishte bërë në 2020. Nëse nuk ndryshon ky çmim, paralajmërojnë pengimin e shpronësimit
Dy vlerësime nga dy komisione të ndryshme janë bërë brenda tre vjetësh për shpronësimin e pasurisë së banorëve të lagjeve “Kongjeli” e “Mexhuani” të fshatit Siboc të Obiliqit për të zgjeruar zonën e mihjes së KEK-ut.
Komisioni i vitit 2020, sipas banorëve, e kishte vlerësuar tokën me rreth 4 euro për metër katror, kurse për objekte 350 deri në 380 për metër katror. Kurse në vendimet që u janë dërguar para një muaji përmbajnë çmime më të larta për tokën (nga 7 deri në 15 euro m2), por përgjysmë më të ulëta për objekte.
Ata thonë se nuk i dinë arsyet e ndryshimit të këtyre çmimeve, por kanë thënë se janë të pakënaqur me vlerësimin e tashëm.
“Vlerësimi i parë u ba në 2020, na i kanë pru ofertat. Me atë ofertë kemi mund me ba një zgjidhje dhe nuk e di pse e kanë anulu atë ofertë. Tash para një muaji na ka ardhë oferta tjetër, është diku 60-70 për qind më e vogël se e herës së parë. Diku i bie metri katror nga 97 euro deri në afër 200 euro. Është vlerë katastrofë. Jemi dy lagje këtu, diku prej 2014 nuk kemi të drejtë as me ndërtu dhe as nuk na lënë, as nuk na shpronësojnë. Kemi mbetë as me shehër e as me Barilevë, qysh thotë populli dhe jemi në gjendje jo të mirë”, ka thënë Afrim Mexhuani, përfaqësues i fshatit Siboc. “Në 2020 ka qenë diku prej 350 metri katror deri në 380 (për objekte v.j.). Tash nuk mundemi me ditë as çka na kanë pagu. As s’ka pemë, as s’ka bunar, as nuk ka rrjet të ujit, as asnjë gjë s’ceket. Veç ceket metri katror, edhe e kanë llogaritë çmimin, nuk dihet çka kanë pagu. Veç çka kemi mundë na me llogaritë me këtë shkollën që e kemi, dikujt i ka ra 97 euro metri katror, dikujt 120, dikujt 170, po 200 s’ka kurrkund. A në Obiliq, më së largu që shkojmë na e ke 650 euro metrin katror”.
Ai thotë se janë afro 20 familje të këtyre dy lagjeve që atakohen nga ky shpronësim dhe se me çmimin që u është caktuar nuk mjafton për të bërë zgjidhje diku tjetër për banim.
“Në herën e fundit tokën na e kanë paguar më mirë se në herën e kaluar. Herën e kaluar në 2020 u kanë diku metri katror 4 deri në 4 euro e gysmë. Tash e kanë ba 7 euro deri në 15, varet qysh është skaj rrugës. Toka është më mirë se herën e kaluar. Po për objekte, për shtëpi, për pemë është katastrofë. Na tokë s’kemi shumë që na kanë shpronësuar, këtu ku i kemi shtëpitë. Kush ka shtëpi, as nuk ia kanë vlerësuar që ka truall, që ka oborr, krejt çka e ka pagu arën”.
Nuk pajtohen me vlerësimin
Banorët kanë thënë se do të përdorin të gjitha format për të kundërshtuar shpronësimet me këtë çmim.
“Na nuk pajtohemi asnjë (me vlerën v.j.). Vlera është shumë e ulët. Na si katunarë e kemi ba një kërkesë edhe në komunë për me çu tek Avokati i Popullit me këqyr me na e ba një zgjidhje. Sipas viteve, çdo gjë ka shku t’u u rritë, çmimet, gjithçka, kurse prona jonë, shtëpitë tona janë zbritë. Tash nuk e di çfarë llogarie kanë ba, në vend që me u rritë, ka pasë zbritje”, ka thënë Valon Kongjeli, banor i fshatit Siboc. “Na si banorë kemi ba gjithçka çka është e mundur, po nuk jemi për me pengu për me ardhë me ndalu punën, po dojmë veç të drejtat tona. Ose le te merr përgjegjësinë qysh është ky vend, çka kemi le të ndreqë diku tjetër komplet kështu, na jemi të pajtimit me dalë, ose le t’i paguan ashtu qysh është në pjesë të tjera që me mund me ba zgjidhje kudo që dalim”.
Edhe Xhevdet Kongjeli nga ky fshat ka thënë se nuk pajtohet me çmimin që ua kanë caktuar për shpronësim.
“Na kanë ardhë edhe rrugën po donë me na e prish, neve na kanë blloku total, s’kem kah me ia mbajtë. Ne do të vazhdojmë me protesta, nuk do t’i lejojmë me hy qysh po donë ata. Po neve duhet me na e ba një zgjidhje, me shku me pagesa qysh është në komunën tonë që është metri katror 650. Na po e domë një çmim që me dalë diku me u rehatu edhe na”, ka thënë ai.
Ndërkohë, përfaqësuesi i fshatit, ka thënë se në Siboc janë 4 ferma.
“Në çdo biznes janë së paku 5 të vetëpunësuar, familjarë. Edhe këtu në krejt në këto 20 familje, është veç njëri që punon në punë të shtetit, që punon në KEK, krejt të tjerët janë të papunë. Ne jetojmë në KEK e nuk punojmë në KEK. Ne duhet ta lëshojmë vendin këtu me këtë çmimin që na e kanë pru katastrofë e me ardhë me punu dikush prej qytetit tjetër. Neve as nuk na punësojnë e as nuk na lënë të jetojmë këtu. Është shumë gjendje e rëndë. Po besoj që shteti e sheh që është një gabim i madh që na e kanë bërë një padrejtësi të madhe”, ka thënë Afrim Mexhuani. “Ne nuk i kemi qit tokat me i shitë, as shtëpitë kurrë, qe 100 vjet jetojmë këtu. Shtetit po i vyen, ne nuk jemi me ndalu shtetin me u zhvillu, por në qoftë se i vyen, të paktën mos me na dëmtu. S’po lypim as më pak, as më shumë. Unë komplet ia jap pronën tem, veç le t’ma gjen qysh e kam këtu, qato metra katror, qato të ardhna që i kam, s’po du as më pak as më shumë, s’po du me fitu. Le të ma paguan 650 metrin katror, ma e lira ku të gjen ai, na jemi në rregull”.
Në Korporatën Energjetike të Kosovës thonë se KEK-u asnjëherë nuk merr pjesë në procesin e vlerësimit.
“Për këtë projekt elaborat të shpronësimit të patundshmërive nga projekt elaborati 129 ha tani të përfunduar me vendimin përfundimtar të shpronësimit të nxjerrë nga Qeveria e Kosovës nr. 01/152 dt.14.07.2023 bëhet fjalë për 28 parcela kadastrale, përfshirë objekte të banimit, objekte përcjellëse dhe të lashta të tjera) në 3 tri zona Kadastrale zk- Sibovc, zk- Leshkoshiq dhe zk- Shipitullë KK-Obiliq”, ka thënë Skënder Bucolli nga Departamenti për Marrëdhënie me Publikun dhe komunitete në KEK.
KEK-u: Nuk ndalet avancimi i mihjeve
Sipas tij, KEK.sh.a. asnjëherë nuk merr pjesë në procesin e vlerësimit, për këto çështje procedurale (projekt elaborate) zhvillohen dy procedura, njëra përmes KPZH-së si procedurë e zhvendosjes përmes vlerësimit nga operatorët ekonomikë ndërkombëtarë i licencuar, i përzgjedhur në procedurë tenderimi.
“Në raste dështimi të kësaj çështjeje procedurale administrative përmes marrëveshjeve me kontrata noteriale, si KEK.sh.a. fillojnë me automatizëm me procedurën (e shpronësimit) e Ligjit të shpronësimit, e vetmja mundësi për të hyrë në posedim. Vendimin përfundimtar për shpronësim me kërkesë të KEK.sh.a. e merr aksionari (Qeveria e Kosovës), ndërsa vlerësimin për patundshmëri, objekte të banimit dhe të lashta të tjera e bën Ministria e Financave, e cila i ka kriteret e vlerësimit si në rastin konkret për patundshmëri konform vendimit të Qeverisë”, ka theksuar Bucolli.
Pse qëndron ndryshimi në vlerësime, ai ka thënë se nuk është në kompetencë të KEK.sh.a. për të dhënë sqarim.
“Çdo vendim që e merr aksionari (Qeveria e Kosovës) si në rastin konkret si KEK.sh.a. jemi të obliguar që në afatin kohor ta ekzekutojmë. Avancimi i mihjeve në këto patundshmëri do të nisë menjëherë pas kalimit të afateve ligjore pas kompensimit të patundshmërive që tani janë në ekzekutim”, ka deklaruar Skënder Bucolli. “Nëse banorët e afektuar janë të pakënaqur me vlerësime konform vendimit përfundimtar të shpronësimit, mund t’i tërheqin mjetet financiare konform vlerësimit të Ministrisë së Financave mbështetur në vendimin përfundimtar të shpronësimit dhe e kanë të drejtën që në afatin kohor të ushtrojnë ankesë në gjykatën kompetente”.
Zyrtarët e KEK-ut thonë se në raste të mostërheqjes së mjeteve financiare nga banorët e afektuar, KEK.sh.a e bën deponimin e mjeteve financiare në llogari mirëbesimi në BQK.
KOHA ka dërguar pyetje edhe në adresë të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, por nuk ka marrë përgjigje.
Vendimi përfundimtar
Ndërsa në vendimin e Qeverisë me nr. 01/152 të datës 14.7.2023 thuhet se brenda 10 ditëve të punës pas miratimit të këtij vendimi, Departamenti i Shpronësimit e bën shpalljen e vendimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.
“Kundër këtij vendimi subjekti kërkues, cilido person i cili është pronar ose zotërues i interesit në pronën e paluajtshme ose të drejtat pronësore të prekura nga ky vendim, si dhe çdo person i interesuar i cili ka një interes legjitim të drejtpërdrejtë dhe material në pronën e paluajtshme, e cila është objekt i vendimit përfundimtar, pavarësisht nëse është identifikuar apo jo në tabelat e bashkangjitura të këtij vendimi, brenda afatit prej tridhjetë (30) ditëve kalendarike kanë të drejtë për të ushtruar ankesë pranë gjykatës kompetente vetëm sa i përket lartësisë së shumës së kompensimit të përcaktuar me këtë vendim”, thuhet në vendim. “Brenda pese (5) ditëve kalendarike pas dorëzimit të ankesës në gjykatën kompetente parashtruesi i ankesës duhet të sigurojë që pesë (5) kopje të ankesës të dorëzohen fizikisht në Zyrat e Avokaturës Shtetërore/Ministria e Drejtësisë dhe një (1) kopje të ankesës në Zyrat e Departamentit të Shpronësimit. Brenda dy (2) vjetëve nga data e hyrjes në fuqi të vendimit dhe aplikimit të pronarit për pagesë të pronës, subjekti kërkues/Korporata Energjetike e Kosovës (KEK-Sh. A.) do të paguajë plotësisht shumën e kompensimit të shpronësimit, të caktuar në aktin e vlerësimit, i cili është pjesë e këtij vendimi”.
Bazuar në këtë dokument, subjekti kërkues/Korporata Energjetike e Kosovës (KEK-Sh. A.) do të paguajë plotësisht të gjitha obligimet e tjera financiare që mund të rrjedhin si pasojë e procesit të shpronësimit nga vendimet gjyqësore.
Në anën tjetër, banorët kanë thënë se në rast se nuk ndryshon ky çmim, ata do të vendosin tendat dhe nuk do të lejojnë as shpronësimin.